Bëhet fjalë për yllin e Vitesses, Milot Rashicën, i cili shumë herë është kritikuar për vendimin e tij për t’u larguar nga Shqipëria drejt Kosovës, sidomos nga trajneri Gianni De Biasi.
Dhe tani në një intervistë ekskluzive për Panorama Sport, Nexhmedin Rashica rrëfen marrëdhënien me djalin futbollist, menaxherin e tij dhe shpjegon lidhjen e familjes së tij me Shqipërinë dhe De Biazin.
“Edhe unë vetë të kisha qenë në vend të tij, nuk do t’i kisha larguar lojtarët më të vjetër që kanë dhënë kontribut për Shqipërinë, përpara të rinjve. Me sa u pa, Shqipëria ka shanse për të shkuar sërish në nivele të tilla, ndaj nuk e kam marrë aspak si tragjik vendimin e tij në lidhje me Milotin”, u shpreh në fillim Nexhmendini.
A e kujtoni periudhën kur Miloti u grumbullua me Kombëtaren shqiptare në Austri për fazën përgatitore para Europianit?
Po, normalisht që e kujtoj.
Cila ishte ndjesia juaj si prind?
E njëjtë si e çdo prindi tjetër kur sheh fëmijën e tij në një ngjarje të tillë. Jo vetëm për mua, por për çdo prind është ndjesi e veçantë kur sheh djalin të grumbullohet në Kombëtare. Ishte ndjesi e papërshkrueshme.
Çfarë ju tregonte Miloti gjatë atyre ditëve qëndrimi në Austri me Kombëtaren?
Edhe ai me emocione ishte. Ka qenë shumë i lumtur për një akt të tillë. Në fillim kishte emocione, mirëpo që në fëmijëri ka qenë një djalë, le të themi, i matur dhe i pjekur. Asnjëherë i nxituar. Kjo e ka bërë që edhe në këtë periudhë të sillej me maturi dhe pjekuri, jo si një djalosh fare i ri në moshë.
A e prisnit që ai të kishte ftesë për të qenë në Francë, në Europian?
Nuk di çfarë të them tani, meqenëse kanë kaluar edhe disa muaj. Të them të vërtetën, nuk e kam menduar dhe komentuar kurrë nëse do të shkonte apo jo në Francë. Duke parë rrethanat që kanë qenë, nuk e kam besuar shumë që do të ishte pjesë e ekipit në Europian. Duke parë edhe deklaratat e asaj periudhe, nuk është se kam pasur pritshmëri shumë të madhe që do të ishte pjesë e 23-shes. Mirëpo, them që e ka merituar të ishte, duke qenë se ka pasur formën më të mirë.
A biseduat me Milotin, pasi u mësua lista dhe fakti që ai nuk do të ishte në “Euro 2016”?
Patjetër! Kontaktin e parë Miloti e ka pasur me mua.
Si ishte në atë bisedë?
Krejt ndryshe nga sa është parë në kamera në momentin e largimit, që u duk i mërzitur dhe me lot, në bisedën me mua ishte i qetë dhe nuk e ka marrë aq tragjike.
Çfarë ju tha në ato momente, kur mësoi listën?
Babi, katër veta nuk janë zgjedhur dhe unë jam një prej tyre. Ai e ka ditur deri diku që nuk do të ishte, kjo në bazë të intervistave që janë dhënë në atë periudhë përgatitore. E kemi marrë si diçka normale.
Pas zgjedhjes për të mos qenë në Francë, Miloti zgjodhi që të luante për Kosovën. A keni ndikuar ju në atë zgjedhje të tijën?
Absolutisht që jo! Unë jam prind dhe sigurisht që dua më të mirën për fëmijën tim. Mirëpo, ai ka zgjedhur vetë. Edhe sikur ta merrnin në Francë, i gjithë kombi shqiptar duhet të dijë që Miloti ka lindur në Kosovë. Është rritur në Kosovë. Është zhvilluar në Kosovë. Është lojtari i vetëm që ka dalë nga Kosova për të luajtur jashtë vendit. Normale që kjo ka qenë e pritshme. Ka qenë vendim i rëndë, mirëpo zgjedhje e parë për të ka qenë Kosova.
Sipas jush, ai do ta zgjidhte Kosovën edhe në rast se luante në Francë me kombëtaren e Shqipërisë?
Normale. Do ta zgjidhte Kosovën, mirëpo do ta kishte pak më të rëndë. Si e kam parë unë zgjedhjen e Milotit, ai sërish Kosovën do të zgjidhte, sepse e përsëris që është rritur këtu dhe është zhvilluar këtu. Nuk është si lojtarë të tjerë, të cilët janë aktualisht duke luajtur për Kosovën, por janë rritur e zhvilluar jashtë vendit. Gjithsesi, e them edhe një herë që ka qenë vendim i vështirë, mirëpo ne jemi nga Kosova dhe duhet të japim kontribut për këtë vend.
E kujtoni atë ditë kur Miloti vendosi, a jua komunikoi juve përpara se ta bënte publike zgjedhjen që kishte bërë?
Normale që po. Në çdo moment kur ka diçka, fillimisht bisedon me mua. Por, në asnjë moment, nuk jam unë që i imponoj diçka dhe i diktoj vendimet. Më tha: Babë, jam i Kosovës dhe kam vendosur të luaj për Kosovën. Vetëm kaq. – E unë i thashë: Djali im, ti e di! Ai është vendimi yt dhe ti zgjidh si ta mendosh më mirë dhe si ta ndiesh më mirë.
Më vonë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka deklaruar se “Rashica është një lojtar stoli dhe nuk ka bërë diferencën”. Si jeni ndier për këtë gjë?
Po të kishte qenë lojtar stoli, do ta kisha pranuar shumë mirë. Mirëpo, faktet janë ndryshe. De Biazi i ka bërë disa komente, por pa i ditur ngjarjet si kanë ndodhur. Miloti ka qenë disa herë lojtari i ndeshjes, megjithëse është lojtar i ri, them që nuk ka qenë i informuar mirë.
Gjithsesi, në lidhje me De Biazin, kam respekt maksimal për të. Është njeri shumë i mirë. Edhe unë vetë të kisha qenë në vend të tij, nuk do të kisha larguar lojtarët më të vjetër, që kanë dhënë kontribut për Shqipërinë, përpara të rinjve. Me sa u pa, Shqipëria ka shanse për të shkuar sërish në nivele të tilla, ndaj nuk e kam marrë aspak si tragjik vendimin e tij në lidhje me Milotin. Edhe pse unë s’jam sportist, jam babai i një futbollisti dhe vendimet e trajnerit duhen respektuar. Atij i takon të zgjedhë dhe unë kam respekt për të.
Po Miloti si e ka pritur një deklaratë të tillë? A ka biseduar me ju rreth saj?
Jo, jo fare. Nuk e ka komentuar, sepse kjo nuk ka qenë deklarata e parë. Sa herë që Miloti sheh diçka të rëndësishme apo edhe të rëndë, bisedon me mua, mirëpo këtë herë s’më ka thënë gjë dhe e ka marrë si krejt normale.
Në merkaton e verës, Miloti u përmend nga shumë ekipe të rëndësishme që po e vëzhgonin. Cila prej tyre ka pasur diçka të vërtetë dhe ka nisur bisedime konkrete?
Ka shumë skuadra edhe aktualisht, mirëpo për këtë është menaxheri Altin Lala që merret konkretisht. Unë ia kam lënë atij në dorë dhe nuk i ndërhyj. I kam thënë: Miloti është në dorën tënde. Ti je sportist dhe kam besim të plotë se do bësh më të mirën për Milotin. Altini bisedon me mua, mirëpo është ai dhe Miloti që vendosin se çfarë do të bëjnë.
Ju si prind, a keni një emër skuadre në mendje që keni dëshirë ta shihni djalin tuaj me fanellën e saj, pa ndikuar tek ai?
Jo, nuk kam asnjë dëshirë të tillë. Kryesorja për mua dhe dëshira më e madhe është që ai të ketë shëndet, ndonëse fatit më tej nuk i dihet. Unë personalisht nuk kam besuar ndonjëherë që një djalë nga Kosova do të shkojë direkt në Holandë për të luajtur në nivelet më të larta.
Në familjen tuaj, a ndiqet Kombëtarja shqiptare, apo vëmendja kryesore është te Kosova?
Ne gjysmën e zemrës e kemi në Shqipëri. Xhaxhai im jeton në Elbasan. Në vitin ’63 ka qenë drejtor në Trepçë dhe shkoi në Elbasan. Ne familjarisht kemi qenë të internuar dhe na duhet që të japim kontributin për Kosovën, sepse jemi vendas, ama mendjen e kemi te Shqipëria. Megjithatë, po ju them vetëm një gjë: kosovarët më shumë duan Shqipërinë sesa Kosovën. Por, meqenëse nuk e zhbëjmë dot Kosovën dhe faktin që është tashmë shtet më vete, duhet të bëjmë më të mirën për të.
E mendoni ndonjëherë që Milotin ta shihni si lojtar të kombëtares së të gjithë shqiptarëve pa dallim?
Kjo është ëndrra jonë dhe e çdo shqiptari. Kam shumë dëshirë që në karrierën e Milotit të jetë një formacion i tillë i të gjithë shqiptarëve dhe ai të bëjë pjesë në të. Kjo ëndërr nuk do të largohet kurrë! As më parë nuk kemi menduar që Kosova do të bëhet shtet, mirëpo ja që u bë. Tashmë që jemi ndarë përfundimisht nga Serbia, e kemi edhe më të lehtë të bashkohemi.