Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se me këdo që subjekti të cilit i takon do të bëjë koalicion zgjedhjet do t’i kenë të fituara.
Ai ka deklaruar se vija të kuqe mosbashkëpunimi kanë vec me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa marrëveshjet janë të mundshme me të gjitha subjektet tjera politike, njofton Klan Kosova.
“Në të gjitha versionet, në të gjitha kombinimet, me të gjitha partitë që hyjmë në koalicion mund të dalim të parët. Qoftë me AAK-NISMA, qoftë me LDK-në, qoftë me Vetëvendosjen, ne do të dalim të parët. Por mbetet të shohim. Sepse nëse PDK-ja bën ndonjë koalicion parazgjedhor atëherë ajo ka po ashtu mundësi t’i fitojë zgjedhjet”.
Sa i përket kandidatëve për kryeministër, ai ka preferuar Behgjet Pacollin, ndërsa është shprehur kategorikisht kundër Isa Mustafës e Kadri Veselit.
“Behgjet Pacolli është njeriu më meritor për të qenë kryeministër i vendit. Ramush Haradinaj është burrë i zoti nga një familje të cilën e respektoj unë. Albin Kurti ka treguar se nuk punon për interesa vetjake, por për të përgjithshme. Ndërsa Isa Mustafa dhe Kadri Veseli nuk do të doja që ta kishin mundësinë ta drejtojnë qeverinë, sepse e kanë dëmtuar vendin”.