Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka votuar sot unanimisht iniciativën e ndryshimit të Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim bashkimin e pjesës veriore me atë jugore.
Mbledhja e sotme është thirrur me urgjencë nga kryetari Agim Bahtiri, me një pikë të rendit të ditës – propozimin e inicimit të ndryshimit të ligjit me anë të së cilit do të bashkohej Mitrovica.
Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka thënë se ai gjithmonë e ka dashur një Mitrovicë jo të ndarë në jug e në veri.
“Çdo herë kam dëshiruar që qyteti i Mitrovicës të jetë i bashkuar si më parë. Ai që është për ndarjen e Mitrovicës, unë nuk e di se ku ekziston ai njeri”.
Madje Bahtiri në Info Magazine të Klan Kosovës i është kundërpërgjigjur edhe Goran Rakiqit, që deri para pak ditësh [para dorëheqjes bashkë me kryetarët e tjerë të komunave veriore] ishte kryetari i Mitrovicës Veriore.
Rakiq ka thënë se shqiptarët duhet të merren me komunat e tyre duke shtuar se deklarata për bashkimin e Mitrovicës nuk ka bazë ligjore se “qëllimi i saj politik ishte t`i dëbonte serbët nga shtëpitë shekullore”.
“Unë Goran Rakiq e kam pasë një homolog timin, ai nuk është më kryetar por ai e di shumë mirë se i kryej punët me shumë profesionalizëm dhe me dashurinë më të madhe. Unë çdo ditë shkoj në punë në orën 7 të mëngjesit dhe qëndroj deri në orën 23:00 duke punuar për të mirën e qytetarëve”.
“Mospuna dhe mosgatishmëria e tij për ta njohur shtetin e Republikës së Kosovës dhe të punojë me ligjet dhe në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Ai e ka kokën në Beograd dhe trupin në Mitrovicë. Punët e tij tregojnë se kjo komunë që është ngritur artificialisht është me të vertetë për të ardhur keq, sepse një kryetar komune që nuk është kryetari i të gjithë qytetarëve dhe bën dallime nacionale, për mua nuk është kryetar”.