Agim Bahtiri organizon tubim kundër Asociacionit në shkollën e fshatit të tij

Prishtinë | 23 Shk 2023 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, dhe ish-kryetar i Vetëvendosjes në këtë qytet, Agim Bahtiri, ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një ftesë për Tubim me qytetarë kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tubimi do të mbahet në shkollën “Harun Beka” në Gushavc, që është vendlindja e Bahtirit. Ai do të mbahet këtë të diel, në mesditë.

Tubimi mbahet vetëm një ditë para takimit të 27 shkurtit, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku ka paralajmërime se mund të nënshkruhet marrëveshja për pranimin e Planit Franko-Gjerman. Sikur dihet, në nenin 9 të marrëveshjes shkruan se palët do të zbatojnë “të gjitha” marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel, e ku përfshihet edhe formimi i Asociacionit.

Ish-kryetari i Degës së VV-së në Mitrovicë ka shkruar se tubimi ka për qëllim “të inkurajojë Qeverinë e Republikës së Kosovës që të mos lëshojë pe dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë themelimin e këtij asociacioni famëkeq”.

“Të nderuar qytetarë, Ju ftoj që sikur çdoherë tjetër, edhe kësaj radhe të tregojmë qëndresën tonë stoike për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës, njëkohësisht, ta inkurajojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës që të mos lëshojë pe dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë themelimin e këtij asociacioni famëkeq”.

“Gjaku i dëshmorëve na thërret edhe nga varret, që të bëhemi bashkë e të mos lejojmë që armiku serb të sundojë në tokën tonë”, ka shkruar Bahtiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme