Bahtiri kërkon që Mitrovica të funksionojë me rregulla evropiane, e diela të jetë pushim për të gjithë

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar që e diela të jetë pushim për të gjithë.

Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, njoftoi ekzekutivin lidhur me Panairin e Punës i cili në Mitrovicë do të mbahet më datën 12 prill 2019 në sallën e sporteve “Minatori”, ku tha se Panairi do të organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe nga ana e komunës do të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për një organizim sa më të mirë.

Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, njoftoi bordin se është duke u punuar për respektimin e orarit të punës të subjekteve afariste, ku me këtë rast kanë ndërmarrë aksion për mbylljen e lokaleve të cilat nuk e respektojnë orarin e punës sipas Rregullores komunale Nr. 03/2014 dhe mbylljen e lojërave të fatit të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pa licencë.

Nga ky aksion, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, tha se gjatë vikendit janë mbyllur gjithsej 20 biznese, 3 mega markete të mëdha, 2 barnatore, 15 bastore dhe 2 kazino. Ai më tutje ka thënë se ky aksion do të vazhdojë edhe ne ditët e ardhshme derisa të zbatohet Rregullorja komunale në fuqi.

Në fund kryetari Bahtiri, ka lavdëruar punën e drejtorit të Inspeksionit, Hysni Ahmeti, duke ofruar mbështetjen e tij të plotë që komuna e Mitrovicës të funksionojë me rregulla evropiane ku dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjithë.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme