Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka caktuar për sot një takim, në të cilin do të bisedohet për zhvillimet e fundit politike në vend, posaçërisht tendencës për ndarjen e Kosovës, si për aktivitetet e nevojshme për të kundërshtuar ato.
“Deklaratat e liderëve të vendit se në bisedimet me Serbinë nuk do të ketë vija të kuqe, janë paralajmërime ogurzi për të ardhmen e Kosovës, që nënkuptojnë edhe mundësinë e ndarjes së Kosovës. Meqë situata është tepër serioze, ajo kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit për të kundërshtuar fuqishëm tendencat e këtilla, që janë aspirata të kamotshme të Serbisë”, thotë Bahtiri.
Ai ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve, liderët e të gjitha partive politike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të OJQ-ve e asociacioneve të ndryshme dhe personalitetet me autoritet e ndikim, që të marrin pjesë në këtë takim dhe të japin kontributin e tyre për parandalimin tendencave të tilla.
Sipas njoftimit të komunës, në këtë takim pritet që të flitet dhe të arrihet dakordimi për mundësinë e organizmit të një proteste gjithë popullore gjatë javës së ardhshme.
Takimi do të mbahet në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, duke filluar në ora 12:00.