Në bazë të situatës së krijuar nga rritja e numrit të rasteve të infektuara me virusin COVID-19, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim pronarët e kompanive të taksive që operojnë në qytetin e Mitrovicës.
Në këtë takim kryetari Bahtiri ka kërkuar nga të gjitha kompanitë e taksive që veprojnë në Mitrovicë të ndërprenë punën e tyre përkohësisht, kjo pasi që ky sektor paraqet rrezikshmëri tek punëtorët dhe qytetarët në përhapjen e këtij virusi.
“Duke u bazuar në këshillat e mjekëve profesionistë dhe në rekomandimet e IKSHP-së, ku kërkohet që distanca në mes njerëzve të jetë së paku 1 metër, dhe nëse marrim parasysh hapësirën e automjeteve të taksive të cilat kanë 5 ulëse për pasagjerë, kjo rezulton me faktin se hapësira është shumë e ngushtë, andaj e shoh të arsyeshme që të pezulloni përkohësisht punën tuaj në mënyrë që të mos ketë rrezik në shëndetin e punëtorëve tuaj, dhe të qytetarëve të cilët e shfrytëzojnë këtë shërbim”, tha kryetari Bahtiri.
Vendimin e kryetarit Bahtiri për ndalimin e perkohësishëm të punës së taksive, e përkrahën unanimisht të gjithë pronarët e kompanive të taksive, duke thënë se janë të gatshëm të jenë në dispozicion të kërkesave të kryetarit dhe për çdo rast ti ndalin në ndihmë pa asnjë çmim.
Gjithashtu kryetari Bahtiri kërkon nga Policia e Kosovës që këtë vendim të zbatoj edhe në kufijtë administrativ të Komunës së Mitrovicës, dhe të mos lejoj asnjë taksi nga komunat tjera regjionale të veprojnë në qytetin tonë.