Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Mujka, sot kanë pritur në një takim përfaqësues të lartë nga kompania e energjisë elektrike në Turqi, “Euro Holding”, në krye me Tamer Pektas, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve në qytetin e Mitrovicës.
“Fillimisht kryetari Bahtiri ka falënderuar të pranishmit për interesimin e tyre për të investuar në qytetin e Mitrovicës dhe më pas ata i ka njoftuar me kushtet që Komuna e Mitrovicës ofron për investitorët e huaj.
Në fjalën e tij përfaqësuesi nga kompania “Euro Holding”, Pektas, ka njoftuar lidhur me projektin energjik të cilin parashihet ta realizojnë ata në qytetin e Mitrovicës, përmes grumbullimit dhe riciklimit të mbeturinave duke prodhuar energji elektrike.
Ky projekt parasheh riciklimin e mbeturinave me kapacitet deri në 120 tonë në ditë, duke përpunuar të gjitha llojet e mbeturinave, me përjashtim ato të cilat kanë radioaktivitet duke mos liruar gazra dhe për të ruajtur mjedisin”, thuhet në njoftimin për media.
Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka bërë me dije se Komuna e Mitrovicës ofron kushte dhe lehtësira shumë të mëdha për të gjithë ata që synojnë të investojnë në projekte të ndryshme, duke përmendur dhënien e tokës falas, pastaj edhe lehtësirat tjera procedurale.
Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se ky investim do të jetë shtytje e zhvillimit ekonomik, pasi që përmes kësaj fabrike nuk do të ketë më ndotje as për punëtorët e as për mjedisin dhe rrethinën.