Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim përfaqësuesit e Lagjes “Kroi i Vitakut”, Skender Rama, Ramadan Ademi si dhe Musa Haliti, të cilët njoftuan kryetarin Bahtiri se serbët në atë pjesë kanë filluar ndërtimin e disa shtëpive dhe kjo është e papranueshme nga ana e tyre sepse asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në atë pjesë.
Skender Rama, banor i lagjes “Kroi i Vitakut”, ka kërkuar që shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës, duhet të kenë mbështetjen e nivelit qendrore për një jetë stabile dhe të qëndrueshme.
“Ne si banorë të kësaj lagje kemi qenë gjithmonë për bashkëjetesë, mirëpo asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve dhe ne me mundësit tona do të vazhdojmë me pengimin e punimeve”, ka thënë Rama.
Ai më tutje ka bërë të ditur që të gjithë banorët shqiptarë janë të pajtimit që të iniciojnë një peticion me të cilin do të kërkohet nga institucionet e nivelit qendror që të pengohet ndërtimi i banesave dhe shtëpive serbe.
“Kryetari Bahtiri i cili më shumë vëmendje ka dëgjuar të gjitha shqetësimit e këtyre banorëve, ka thënë se në të gjitha takimet e tij me përfaqësues të nivelit qendror dhe atë ndërkombëtarë ka ngritur zërin për 13 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, të cilët akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe qytete tjera të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
“Projektet e tilla kanë për qëllim kolonizimin e veriut dhe ndryshimin e strukturës etnike, duke mundësuar kështu kthimin e serbëve që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë andaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe organeve tjera kompetente që mos t’i mbyllin sytë përballë kësaj situate të krijuar e cila nuk i konvenon bashkëjetesës së qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë kryetari Bahtiri.