Bajraktari: Deklaratat përmbyllëse, fokusi tek besueshmëria e dëshmive, mbrojta në avantazh

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari teksa përmendi deklaratat përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së që do të jenë nga 9 deri më 18 shkurt, mbrojtja është në avantazh.

“Tashme janë caktuar dhe bërë publike datat e paraqitjes së deklaratave përmbyllëse të palëve në procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, proces i cili do të bëhet nga data 9 deri më 18 shkurt 2026. Referuar dispozitave të rregullores së procedurës dhe të provave, ky është veprim i fundit procedural i ballafaqimit të palëve, e ku fokusi i deklaratave përmbyllëse janë dëshmitë e pranuara dhe besueshmëria e tyre, përfshirë besueshmërinë e dëshmitarëve si dhe dokumentacionin e procesit dhe natyrisht dispozitat ligjore relevante. Në këtë aspekt, mbrojtja është në avantazh të theksuar për sa i përket çështjes së dëshmive, qoftë dokumenteve që ka ofruar, përfshirë raporte e kabllograme të administratës amerikane, por edhe dëshmi e dëshmitarë protagonistë të ngjarjeve, e mbi të gjitha me reputacion të lartë, rrjedhimisht shumë bindës dhe të besueshëm”, ka shkruar Bajraktari.

Sa i përket prokurorisë ai thotë se “Për dallim prej prokurorisë, ku së paku ata që janë bërë publik dëshmitarë me reputacion që lë me dyshuar, po ashtu edhe një pjesë e dokumentacioneve “provave” të cilat tashme është e konfirmuar që janë pranuar nga organet e shtetit serb, natyrisht se këto materiale, të marra nga organet e një regjimi gjenocidal, si të tilla nuk do të duhej t’u falej besimi nga ana e trupit gjykues”.

Bajraktari thekson se pas përfundimit të këtyre deklaratave përmbyllëse, kryetari i trupit gjykues e deklaron të mbyllur cështjen gjyqësore.

“Vlen të theksohet se pas përfundimit të këtyre deklaratave përmbyllëse, kryetari i trupit gjykues e deklaron të mbyllur çështjen gjyqësore. Fokusi i deklaratave përmbyllëse është tek relevanca e dëshmive dhe besueshmëria e tyre, mbrojtja në këtë aspekt është në avantazh”, shkroi ai.

Të ngjashme