Avokati Ardian Bajraktari, ka deklaruar se në mbledhjen e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) janë shpërfaqur pretendime serioze për ushtrim presioni dhe ndikimi ndaj prokurorëve, çka sipas tij përbën alarm për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në vend.
Duke diskutuar në emisionin “Tempus”, Bajraktari theksoi se deklarimet e bëra gjatë mbledhjes së KPK-së ngrenë pikëpyetje të mëdha për funksionimin e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
“Në mbledhjen e KPK-së pamë diskutime, pamë shpërfaqje të ushtrimit të presionit e ndikimit, dhe shtrohet pyetja: nëse një gjë e tillë mund të bëhet ndaj prokurorëve, në çfarë vendi jemi duke jetuar?”, u shpreh Bajraktari.
Ai theksoi se ushtrimi i ndikimit të kundërligjshëm ndaj prokurorëve është një çështje tepër serioze dhe se ende nuk ka informacione nëse është iniciuar ndonjë procedurë ndaj atyre që dyshohet se kanë ushtruar presion mbi ta.
“Kur dikush ushtron në mënyrë të kundërligjshme ndikim ndaj prokurorëve, dhe ne nuk kemi ndonjë informatë a është iniciuar ndonjë rast ndaj atyre që kanë ushtruar ndikim dhe presion, kjo është për shqetësim”, tha avokati.
Sipas Bajraktarit, nëse pretendimet e ngritura në mbledhje rezultojnë të vërteta, atëherë KPK dhe të gjithë pjesëmarrësit që i kanë bërë publike këto deklarime, kanë detyrim ligjor të zbulojnë kush ka ushtruar presion dhe t’i nënshtrohen procedurave penale.
“Por nëse vërtetë qëndrojnë këto, KPK dhe të gjithë ata që kanë diskutuar sot e kanë për obligim të tregojnë se kush ka ushtruar ndikim dhe ndaj tyre të iniciohet procedurë penale”, përfundoi ai.