Bajrami: Deklarata e ministres serbe është fyerje për mijëra viktima të luftës

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte përfunduar spastrimin etnik në Kosovë.

Në reagimin e saj, Bajrami e ka cilësuar këtë deklaratë si “tronditëse dhe të papranueshme”, duke vlerësuar se një zyrtare e lartë shtetërore nuk po shpreh thjesht një mendim personal, por po përpiqet të legjitimojë një politikë kriminale.

“Kjo deklaratë është fyerje për mijëra viktima të luftës, për familjet që ende kërkojnë më të dashurit e tyre dhe për të gjithë ata që kanë përjetuar krimet e regjimit të Millosheviqit. Ajo vetëm sa konfirmon se në Serbi ende ka zyrtarë që jo vetëm nuk distancohen nga e kaluara kriminale, por vazhdojnë ta glorifikojnë atë”, thuhet në reagim.

Sipas saj, një shtet që synon integrimin në Bashkimin Evropian nuk mund të tolerojë deklarata që, sipas saj, shprehin keqardhje për mosrealizimin e spastrimit etnik.

“Në çdo demokraci funksionale, një deklaratë e tillë do të sillte shkarkim të menjëhershëm dhe dënim institucional. Serbia, fatkeqësisht, mbetet larg këtij standardi”, thekson ajo.

Bajrami u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta dënojnë qartë këtë deklaratë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet serbe.

Ajo ka vlerësuar gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë duhet ta kenë parasysh vështirësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa, sipas saj, në institucionet serbe vazhdojnë të ketë zyrtarë të lartë që glorifikojnë spastrimin etnik dhe krimet e luftës.

Në fund të reagimit, Bajrami i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime konkrete për inicimin e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e pretenduar të kryer në Kosovë.

“Premtimi për inicimin e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e kryer në Kosovë duhet të realizohet pa vonesa. Për këtë proces tashmë jemi vonuar. Çdo ditë e humbur është dështim në mbrojtjen e së vërtetës historike, drejtësisë për viktimat, të pagjeturit dhe dinjitetit të shtetit të Kosovës”, përfundon reagimi.

Të ngjashme