Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar për gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Klinës, duke e cilësuar atë si një katastrofë ekologjike dhe duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për dështim në zgjidhjen e problemit.
Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se Sferka, vendlindja e saj, po shndërrohet para syve të banorëve në një katastrofë mjedisore.
Ajo theksoi se deponia nuk është vetëm çështje e menaxhimit të mbeturinave, por paraqet rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
“Poshtë saj ndodhen toka pjellore dhe livadhe ku fermerët kullosin bagëtinë, ndërkohë që nga deponia rrjedh lëngu i zi, i mbushur me substanca toksike dhe metale të rënda. Tymi dhe flaka nga zjarret e bëjnë edhe më të madh rrezikun për ajrin që thithin banorët”, u shpreh Bajrami.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së tha se për këtë situatë duhet të ketë përgjegjësi institucionale, duke akuzuar Qeverinë Kurti se ka dështuar ta adresojë problemin.
Sipas saj, për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, vendi humbi mundësinë që të investoheshin 9 milionë euro nga BE-ja dhe 3 milionë euro nga Komuna e Pejës për mbylljen e deponisë.
Bajrami shtoi se, sipas vlerësimeve aktuale, realizimi i këtij projekti tashmë mund të kushtojë mbi 30 milionë euro, duke e cilësuar këtë si pasojë të papërgjegjësisë dhe dështimit politik.
Në fund, ajo bëri thirrje për veprim urgjent, duke theksuar se çdo ditë vonesë e rrit dëmin mjedisor, koston financiare dhe rrezikun për shëndetin e qytetarëve.