Mos publikimi i raportit përfundimtar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, po bëhet nga frika e bllokimit të dialogut nga Serbia. Kështu thonë njohës të çështjeve politike në Kosovë, derisa theksojnë se BE ka procedurë që të mbledhë të gjitha faktet dhe të dalë me një raport sa më objektiv.
Profesori universitar, Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën se i gjithë faktori ndërkombëtar e ka të qartë se çfarë ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, duke parë një akti terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë dhe nuk do të duhej të harxhonin më shumë kohë për të përfunduar raportin. Por, ai mendon se vonesa për të dalë me një raport, po bëhet për shkak të dialogut Kosovë-Serbi, pasi, sipas tij, dalja e një vlerësimi të saktë, do të adresojë përgjegjësinë direkte të shtetit serb.
“Faktori ndërkombëtar në këtë moment sikur dëshiron ta shtyjë publikimin e raportit, për të inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun dhe eventualisht të shënojnë progres në zbatimin e planit, për të cilin këto dy shtete janë pajtuar te marrëveshja e Brukselit, e sidomos tek plani i veprimit te marrëveshja e Ohrit. Kështu që, shtyrja nuk është për mungesë të informacionit, apo për mungesë të përfundimit të konstatimeve të gjetura, por është me qëllime politike, për t’i dhënë mundësi zhvillimit të dialogut”, ka thënë Bajrami
Megjithatë, profesor Bajrami nuk mendon se do të këtë shtyrje afatgjatë, pasi siç tha, e gjithë Evropa, por edhe ShBA-ja po përfshihen në një cikël të zgjedhjeve. Ai theksoi se deri në fund të muajit mars mund të ketë progres në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për këtë qëllim bëhen vonesat e publikimit të raportit për ngjarjet në Banjskë.
Analistja politike, Arta Tahiri-Beqa, tha për Radio Kosovën se Bashkimi Evropian si procedurë të saj të vazhdueshme e ka pasur të mbledhë të gjitha faktet dhe kur të dalë me një raport të jetë sa më objektiv. Ndërkohë, edhe ajo beson se mos publikimi i raportit ka të bëjë më shumë me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Nëse tani BE-ja del me një raport të përfunduar dhe dëshmon se ka qenë i iniciuar komplet nga strukturat paralele serbe në sulmin në Banjskë, apo edhe më e keqja të iniciuar e të mbështetur nga vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, atëherë do të jetë një kartë shumë pozitive për Kosovën për sa i përket dialogut. Duke ditur që dialogu është në një statuskuo e nuk po ka zhvillime konkrete, mendoj që arsyeja kryesore e Bashkimit Evropian është pikërisht kjo, që mos t’i bëjë bllokadë edhe dialogut, por të prolongojë sa më shumë një raport të tillë”, ka thënë Tahiri-Beqa.
E zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se BE-ja po pret me padurim raportin përfundimtar për sulmin terrorist në Bansjkë. Ai ka theksuar se i gjithë ky proces duhet të jetë i paanshëm, derisa shtoi se BE-ja do të shqyrtojë me kujdes rezultatet e hetimit dhe do t’i marrë masat përkatëse, pa u ndikuar “nga ndonjë mendje individuale”.
Ndërkohë, edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që t’i bëjnë presion Prokurorisë për të publikuar sa më shpejt raportin e hetimeve për Banjskën.
Hetimi që po kryen Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit lidhur me ngjarjet në Banjskë, do të jetë bazë edhe për Bashkimin Evropian.