Deputetja e Nismës, Valdete Bajrami, gjatë seancës së kuvendit tha se koalicioni po del të jetë i dëmshëm për vendin.
“Kujt po i konvenon kjo situatë kështu sepse kur kishit të miratonit marrëveshje e ligje të dëmshme ju shkonit edhe nëpër tavane duke i improvizuar sallat, ndërsa kur ju është kërkuar që të punoni për mirëqenien e qytetarëve, për ndërtimin e shtetit, për arsim, për shëndetësi, për zhvillim ekonomik, për bujqësi, për drejtësi, për ta luftuar krimin e korrupsionin ju jeni sjellë si të shurdhur ndaj vërejtjeve tona”, ka thënë ajo.
Ajo akuzoi krerët e shtetit për “papërgjegjësinë” e tyre karshi qytetarit, duke thënë se ka ardhur koha që të japin llogari, raporton Ekonomia Online.
“Nuk mund t’i ikni përgjegjësisë me ture që po i bëni. Ashtu siç janë përgjegjës Thaçi e Mustafa, përgjegjës është edhe Kadri Veseli. Pse nuk po bëni ture në spitalet tona. Është koha të jepni llogari për çdo gjë që po bëni”, ka thënë ajo.