Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë bërë nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit për Zgjedhjet e Parakohshme që do të mbahen më 11 qershor.
Ky memorandum bashkëpunimi është nënshkruar nga kryetarja e KQZ-së Valdete Daka dhe ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka pas nënshkrimit të këtij memorandumi ka thënë se kjo është në vazhdën e aktiviteteve sepse jemi të obliguar për shkak të shfrytëzimit të objekteve shkollore.
“Jemi të obliguar që me Ministrinë e Arsimit të nënshkruajmë një memorandum lidhur me shfrytëzimin e objekteve shkollore dhe me ndihëm të cilën kjo ministri do të na ofrojë gjatë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë fushatës zgjedhore, siç e dini fushata zgjedhore do të fillojë nesër dhe gjatë kësaj fushate do të ketë mundësi që edhe objektet shkollore të shfrytëzohen për fushatë zgjedhore mirëpo vetëm atëherë kur nuk pengohet procesi i mësimit”, ka thënë ajo.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka thënë se aktivitetet e fushatës të bëhen kur nuk pengohet mësimi.
“Ministria e Arsimit vë në dispozicion të partive politike të gjitha objektet shkollore duke pas parasysh edhe përgjegjësitë që kanë partitë politike që të mos pengojnë zhvillimin normal të procesit mësimor , kështu që u bërë apel partive politike që me aktivitetet e tyre zgjedhore të kenë kujdes që ato t’i përshtatin edhe me orarin e përfundimit të turit të parë dhe turit të dytë në shkolla. Gjithashtu shfrytëzoj rastin se si ministër i arsimit tu bërë apel të gjitha partive politike që t’i kursejnë fëmijët e moshës adoleshente, fëmijët nën moshën 18 vjeçare që ata mos të përfshihen në aktivitetet zgjedhore për shkak se kjo do të ndikojë pak në koncentrimin e tyre edhe në përfundimin e gjysmë vjetorit”, ka thënë ai.