Me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se prioriteti ministrisë dhe i tij për këtë gjysmëvjetor do të jetë ngritja e cilësisë, dhënia e përgjegjësisë së plotë shkollave dhe do të krijohen të gjitha mundësitë që të punojë mekanizmi në shkolla.
“Do të mundësojmë një tranzicion nga një mësim klasik në atë modern, aktualisht vetëm kemi filluar në 13 shkolla në Kosovë duke u dhënë përgjegjësitë”, tha Bajrami.
Ai ka thënë se pas rezultateve të PISA-s do të punohet në ngritjen e cilësisë duke takuar të gjithë profesorët nëpër shkolla dhe me këtë të kemi një vetëdijesim kombëtarë se ngritja e cilësisë është obligim kombëtar.
“Dëshirojmë t’i japim mbështetje dhe t’i motivojmë mësimdhënësit, sepse shkolla është si një familja. Rruga për cilësi shkon duke bërë përgatitje dhe me këtë të kemi student të aftë e të pajisur me njohuri por jo vetëm teorike”, tha Bajrami, duke shtuar se vlerësimi i PISA-së ka qenë shumë i nevojshëm.
“Megjithatë gjendja sivjet është më e mirë se sa në vitin 2015, prandaj duke e marrë shkas ngritjen e cilësisë, unë si ministër do ta themelojë Grupin Kombëtar për Vlerësime, që në vitin 2018 të kemi rezultatet të pozitive”, tha Bajrami.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës që arsimi të jetë pikë e rendit çdo tre muaj në Kuvendin e Kosovës.
“Do të themelojmë një fond prej 100 milion dollarësh, përmes këtij fundi do të rritët cilësia e mësimit. Ky fond do mbushet përmes donatorëve dhe nuk do të përdorët për paga të mësimdhënësve por për trajnime dhe të gjitha gjërat që lidhen me ngritjen e cilësisë së arsimit në vend”, tha Bajrami.
Sipas tij, investimi në arsim është investim edhe në ekonomi, sepse resursi kryesor janë studentët. “Sa më shumë përgatitje të studentëve aq më shumë do të kemi ngritje edhe në cilësinë e arsimit por edhe në ekonomi”, tha ai.
Bajrami gjithashtu tha se në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës do t’i parashtrojë 10 pika të cilat lidhën me cilësinë në arsim.
“ E para do të jetë kurrikula , rishikimi i teksteve, lidhja e shkollës me biznese, faktorizimi i prindërve duke përfshirë edhe skemën e financimit etj. Pra duhet të ketë transformim për mësimdhënësit nga mësimdhënës klasik me shkumës në mësimdhënës bashkëkohorë , sepse mësimdhënësit do të licencohen në çdo katër vite”, tha Bajrami.
Gjithashtu ai ka bërë me dije se do te punojnë me Komunat e Kosovës shumë më shumë këtë vit që arsimi mos të politizohet , sepse politizimi është evident. “Prandaj duke i parë të gjitha këto do ta themelojë një Trup Profesional të Pavarur nga Pedagogët, madje të pavarur edhe nga Qeveria, që kjo trupë profesionale t’i ta bëjë përzgjedhjen e drejtorëve. Në këtë drejtim do të punojmë me Kuvendin e Kosovës që të arrihet ky qëllim”, tha Bajrami, duke shtuar se nëse e kanë nisur një reformë në 2015, në 2018 do t’i kemi rezultatet.