Bajrami ironizon me konferencën e VV-së para Prokurorisë Speciale: A do të kërkoni llogari pse s’ka aktakuzë ndaj Martinaj Berishaj e Ridvan Muharremit?

Prishtinë | 12 Gus 2024 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje për konferencë për media para Prokurorisë Speciale.

Bajrami ka ironizuar se VV-ja, “para Prokurorisë Speciale ka vendosur të kërkojë llogari pse ende s’ka aktakuzë për krimet e Martin Berishajt me tregtinë e energjisë elektrike?”.

“Vetëvendosje sot do të kërkojë llogari nga Prokuroria Speciale pse s’ka aktakuzë ndaj Ridit me shokë për korrupsionin me rezervat shtetërore?”, thuhet në reagimin e saj në Facebook.

Ajo theksoi se kjo parti do të kërkojë llogari nga kjo Prokurori edhe për “900 kontratat njëburimore burim i korrupsionit me vlerë prej mbi 240 milionë euro?”.

Më tej, ajo ka listuar disa nga premtimet e pushtetit që nuk janë realizuar.

“Partia që e ka bërë bashkimin kombëtar, që ka ndërtuar 160 çerdhe, që ka zvogëluar çmimin e energjisë elektrike, që e ka përfunduar rrugën për Podujevë, Gjilan e Mitrovicë sot po bën histori”.

Bajrami ka theksuar se Prokuroria Speciale nuk duhet të ketë frikë nga partia e cila ka pushtetin VV-ja.

“Duhet t’iu shkojë deri në fund secilit rast dhe të kryejë punën sipas ligjit për të gjitha rastet e lartpërmendura edhe për rastin e Bansjkës, Radoiçiqit, dhe rastin e koordinimit të Kusarit me Radoiçiqin në emër të LVV-së etj”, ka shkruar ajo.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte kritikuar punën e Prokurorisë Speciale duke thënë se “prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj për të ngritur aktakuzë, por nuk iu deshën as 10 orë për ta marrë në pyetje ministren e Drejtësisë për një status në Facebook”.

Kjo pasi Haxhiu ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale për pretendimet se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

Po ashtu, ajo është marrë në pyetje edhe për deklarimin e saj se disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë kërkuar të takohen me të.

Të ngjashme