Në seancën plenare ku po shqyrtohen ndarjet buxhetore për vitin 2026, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka ngritur kritika për strukturën e shpenzimeve dhe dispozitave të projektligjit të buxhetit, duke vënë theks te rritja e subvencioneve dhe transfereve krahasuar me shpenzimet kapitale, si dhe te dispozitat që, sipas saj, rrisin diskrecionin e ekzekutivit.
Bajrami gjithashtu krahasoi shpenzimet për 4 vitet e fundit.
“Në vitin 2021, shpenzimet kapitale kanë qenë 419 milionë, ndërkohë subvencionet dhe transferet 817 milionë, rreth 50% më shumë. Në fakt, 100% më shumë. Në vitin 2022, shpenzimet kapitale 419 milionë, subvencionet dhe transferet 1 miliard e 37 milionë. Në vitin 2023, shpenzimet kapitale 550 milionë, subvencionet dhe transferet 1 miliard e 47 milionë. Në vitin 2024, shpenzimet kapitale janë 660 milionë, subvencionet dhe transferet janë 1 miliard e 79 milionë. Dhe në vitin 2025, siç i dha kryeministri shifrat, tha shpenzimet kapitale janë 740 milionë. Besoni ose jo kolegë, sipas këtyre shifrave i bie që vetëm në muajin dhjetor, gjatë fushatës elektorale, qeveria ka arritur që t’i shpenzojë plot 240 milionë euro shpenzime kapitale. Merreni me mend fushatën, merreni me mend temperaturat e ulëta, domethënë qeveria arrin me i shpenzu në muajin dhjetor 240 milionë. Çka janë këto? Këto janë kontrata njëburimore, janë paradhënie komplet për financim të fushatës elektorale. Janë korrupsion, sepse i vetmi indikator që Kosova përbën inflacionin që ka pasur ngritje gjatë kësaj kohe janë kontratat njëburimore dhe është korrupsioni pandemik qeveritar”, u shpreh ajo.
Deputetja u ndal edhe te përmbajtja tekstuale e projektligjit, duke theksuar se disa dispozita i japin kompetenca të gjera Ministrisë së Financave.
“Të nderuar kolegë deputetë, projektligji ka shumë probleme në pjesën tekstuale. Merreni me mend, neni 11, paragrafi i tretë, dhe paragrafi 3 dhe paragrafi 5, ministri i Financave i jep diskrecion vetes sikur është mbret në këtë shtet dhe jo që jemi republikë parlamentare.
Shikoni mandej nenin 12, të nderuar kolegë deputetë. Neni 12, paragrafi 3 thotë se qeveria mundet me aprovu pagesat e paradhënies prej më shumë se 30% deri në 100% për vlerat e kontratës për mallra dhe shërbime. Ju e dini shumë mirë që Komisioni Evropian në vitin 2023 ka ngritur çështjen e kontratave njëburimore. Gjatë qeverisjes së tyre, deri në korrik të vitit 2025 janë nënshkruar plot 2550 kontrata njëburimore”, tha ajo.
Ajo shtoi se dispozitat e projektligjit, sipas interpretimit të saj, mundësojnë pagesa të avancuara dhe procedura pa tenderim të hapur.
“Tash merreni me mend, qeveria në pjesën tekstuale i jep të drejtë vetes edhe me dhënë paradhënie deri në 100%. Domethënë ministrat i japin kontrata pa shpallje të tenderit dhe në anën tjetër e marrin një vendim që këta operatorë me i pagu deri në 100%. Çfarë kemi tjetër? Në nenin 14, në paragrafin 2, të nderuar deputetë të legjislaturës së 8-të, ju kujtohet shumë mirë kur në Komisionin për Ekonomi ka pasur debat lidhur me një garancion bankar për projektin për energji të ripërtëritshme, ku menaxheri i atëhershëm, drejtori i KOSTT nuk prante të jepte asnjë garancion bankar për operatorin privat ekonomik”, theksoi ajo.
“Tash në nenin 14, paragrafi 2, e keni që ministri i Financave nga pjesa e kontingjencës mundet me pagu faktikisht garancionin bankar për një kompani private. Këtu ka pasur shkelje të mëdha, sepse në fakt ata që kanë garuar për projektin e tillë nuk kanë qenë në dijeni që Qeveria e Republikës së Kosovës do të lëshojë garancion bankar. Në nenin 18 gjithashtu ka probleme të ndryshme. Më lejoni vetëm pak të gjej nenin 18 të projektligjit për buxhetin. Shihni këtu çka thotë: ‘Me qëllim të zbatimit dhe mbikëqyrjes së projekteve, domethënë organizatave buxhetore ju jepet diskrecion me pagu ekspertë’. Edhe me themelu në paragrafin 3 thotë që organizatat buxhetore mundet edhe me kriju njësi të mbikëqyrjes për me pagu ekspertë. Ne e dimë të gjithë që numri i punëtorëve në organizatë buxhetore kufizohet me ligjin e buxhetit. Dhe çka bën neni 18, faktikisht e len në diskrecion të secilës organizatë buxhetore që me rritë sa të dojë numrin e punëtorëve dhe me i pagu ata sipas dëshirës së tyre, sepse domethënë këtë ja mundëson pjesa tekstuale e ligjit të buxhetit”, theksoi tutje ajo.