Kryeministri Albin Kurti po flet për pasurim të shtetit, ndërsa nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami thotë se ai po manipulon me shifra, duke fshehur gjënë më të rëndësishme: normën e rritjes së çmimeve.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, Kosova është zhvilluar e pasuruar dhe qytetarët tani jetojnë më mirë sesa para se ai të qeveriste. Ai përmend rritjen e buxhetit të planifikuar për vitin e ardhshëm dhe të hyrat.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i tha Gazetës Express se në të gjitha këto deklarata, Kurti e fsheh normën e inflacionit (norma e rritjes së çmimeve).
ë fakt, Bajrami thotë se qytetarët “nuk po mund ta luftojnë varfërinë”.
Kurti e paraqet si sukses të madh faktin se buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është mbi 3.3 miliardë euro, apo 35% më i lartë sesa buxheti që e kishin gjetur në vitin e parë të qeverisjes.
“Është viti i tretë që Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria, e planifikon buxhetin mbi 3.2 miliardë euro, por kur vjen fundi i vitit, ata asnjëherë nuk kanë mbërri me e kalu 2.6 miliardëshin”, thotë Bajrami, duke treguar se Qeveria shpenzon më pak nga sa planifikon.
“Viti 2022 është mbyllë me shpenzime 2.6 miliardë. Këta kanë mujtë sivjet me e planifiku buxhetin edhe 7 miliardë. Ai është planifikim. Votat i kanë pasë në Kuvend, e kanë kalu. 60 amandamente të opozitës, asnjëri nuk është pranu dhe kurrkush nuk i ndalë. Ajo që ne e shohim për secilin vit është më 31 dhjetor, me çfarë buxheti të shpenzuar mbyllet viti. Vitin e kaluar, buxheti ka qenë… 2 miliardë e 628 milionë ka qenë buxheti i shpenzuar. 533 milionë kanë qenë më pak të shpenzuara sesa që ka qenë me ligj i planifikuar buxheti”, tha ajo.
Rritja e të hyrave
Kurti tha të shtunën në një mbledhje të partisë se të hyrat buxhetore janë “2.6 miliardë euro” dhe se “në vendet e tjera as në ëndërr si shohin këto rezultate”.
Por, Bajrami thotë se Qeveria po manipulon me shifra, sërish, duke e anashkaluar normën e ngritjes së çmimeve.
“Po bëjnë manipulim me shifrat, sepse po e anashkalojnë komplet inflacionin që është duke ndodhur në Kosovës. Norma e inflacionit vitin e kaluar ka qenë 11.6%. Sivjet janar-nëntor është 5.3%. D.m.th. nëse e marrim inflacionin për secilin muaj dhe e nxjerrim mesataren, na del 5.3%”, tha ajo.
Nënkryetarja e LDK-së thotë se çmimet që ishin ngritur me një mesatare 11.6%, më pas janë ngritur edhe për 5.3%. Çmimet e produkteve më të konsumuara brenda, Bajrami thotë se janë rritur për 50% në krahasim me dy vjet më parë.
“Kjo nënkupton që 17.9% ne kemi inflacion në krahasim me dy vite më herët për secilin çmim. Por nëse e marrim dhe e shohim strukturën e konsumit, strukturën e produkteve të importit, ne do të vërejmë që pjesa më e madhe e produkteve, edhe që shiten e konsumohen brenda, por edhe që eksportohen, janë produkte që çmimi i tyre në krahasim me dy vite më herët ka lëvizur për 50%. Për shembull, lëndët djegëse, energjia, produktet e qumështit, produktet e mishit, drithërat, vajrat, komplet, nëse i shohim shifrat statistikat e ASK-së, kanë ngritje dyshifrore. Secila prej këtyre, pemët, frutat, perimet, ne i kemi pa të gjithë… Sot një kilogram fasule kushton 6 euro”, thotë Bajrami.
“Këto janë produktet për të cilat familjet në Kosovë, ekonomitë familjare e shpenzojnë pjesën më të madhe të të hyrave. Ka mundësi që këpucat që i blejmë unë e ti ose palltot janë me çmimin e njëjtë qysh kanë qenë dhe kur merret mesatarja e çmimeve, merren edhe këto produkte. Por produktet që unë e ti i blejmë në baza ditore dhe secila familje tjetër, nuk e kanë ngritjen 17.9%, e kanë ngritjen prej 30% deri në 50%”, shton ajo.
Dhe meqenëse shumica e këtyre produkteve importohen për t’u konsumuar më pas brenda vendit, Bajrami tha se shteti inkason më shumë të hyra.
“Bazuar në këtë dhe duke u nisur nga ajo që pjesa më e madhe e produkteve që ne i konsumojmë importohen, shteti ka inkasuar më shumë të hyra. Nëse e sheh sa janë të hyrat, pjesa më e madhe e tyre është prej Doganës. Ndërkohë që krejt indikatorët tjerë, statistikat e ASK-së, tregojnë se ka pasur tkurrje të aktivitetit ekonomik”, thotë ajo.
Deputetja tha se “këtu ka ndikuar më së shumti inflacioni”.
Qarkullimi i bizneseve
Bajrami tha se Kurti e fsheh normën e inflacionit edhe “rritjen për 6.5%” në qarkullimin e bizneseve, të cilin ai e prezantoi gjithashtu si sukses.
“Janar-tetor, norma e inflacionit ka qenë 5.5%. Tash nëse qarkullimi është rritë 6.5%, kur ia heq normën e inflacionit, ty të mbetet norma e qarkullimit 1.1%. Një rritje e qarkullimit 1.1% është gati e pavërejtshme në ekonomi. Nuk ka trend më të vogël”, tha Bajrami.
“Veç shteti s’është pasuruar”
Si përfundim, ajo thotë se shteti nuk është pasuruar. “Përkundrazi, unë konsideroj që në Qeverinë Kurti janë pasuruar individët”, shton Bajrami.
Këtu, ajo përmendi raportin vlerësues të Bashkimit Europian për Kosovën këtë vit, që thotë se 20.08% e kontratave janë të negociuara dhe se vlera e tyre është rreth 78 milionë euro,
“Nëse ministrat dhe shefat e agjencive i thirrin dostat e vet dhe ju japin tenderë në zyra duke i anashkaluar komplet procedurat e prokurimit, aty veç shteti nuk pasurohet. Aty ka pasurim të individëve”, tha Bajrami.
“Se sa është pasuru shteti ne mund ta shohim në baza ditore. Mbi të gjitha, shteti nën qeverisjen e Kurtit sot është nën sanksione nga BE-ja. Nuk ke mandej çka me folë”, shtoi ajo.
Bajrami e citoi raportin e vjetshëm të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili, siç thotë ajo, tregon se “norma e rritjes ekonomike është më e ulëta në periudhën pas pavarësisë”.