Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se janë rrethana që nuk po ndryshojnë, duke theksuar se nuk janë të gatshëm që të kenë marrëveshje politike me VV-në, raporton Ekonomia Online.
Deklaratën e bëri pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive.
“Janë rrethana që nuk po ndryshojnë. Nuk jemi të gatshëm që të kemi marrëveshje politike. Për LDK nuk ka asnjë kandidat, të cilin do ta votonim, për shkak se janë shkelës të vazhdueshëm të Kushtetutës. Një grup i juristëve të LDK-së tani është në proces të kallëzimit penal. Dehari nuk ka asnjë autorizim që të thërras takime. Nuk kemi qenë në takim. Ne nuk jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje politike me VV-në. Nëse VV ka marrëveshje me partitë e tjera atëherë i ka votat e tyre. Ne nuk kemi votë as për partnerët e VV-së”, tha Bajrami.
Ajo ka thënë se përgjegjësia për zhbllokimin është te Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Janë 15 parti parlamentare. Jemi deklaruar nga fillimi se nuk jemi të gatshëm për marrëveshje politike. Kryetari i Kuvendit duhet zgjedhur me marrëveshje politike. Këta nuk duan. Janë 13 parti tjera. Ne i kemi 20 deputetë në Kuvend nga 120. Janë të tjerë që janë të gatshëm të hyjnë. Është paaftësi e tyre për të krijuar një shumicë…Ne nuk kemi votë as për partnerët e koalicionit të Vetëvendosjes”, tha Bajrami.
