Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar për vendimin e Qeverisë që t’iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Lidhur me këtë çështje Bajrami e pyet Kurtin pse pikërisht tani ky vendim.
“Në kohë turbulente për gjithë vendin, në mbledhjen e 109-të të Qeverisë, Kryeministri/Qeveria, në pikën e 3-të e rendit të ditës, nxjerr vendim që t’i ulë pagat për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me arsyetimin se tani ka bazë për ta bërë një gjë të tillë, pasi që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Kryeministri po harron se këto kushte janë përmbushë nga 30 qershori 2020, kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Pyetja është pse pikërisht tani ky vendim?!”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Deputetja e LDK-së është shprehur se është kontradiktore të bëhet kjo kur në të njëjtën ditë votohet Ligji i Pagave i hartuar nga vetë Qeveria Kurti II dhe i përcillet Kuvendit.
Qeveria Kurti ka ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj të vitit 2017, e cila prekte rritjen e të ardhurave mujore edhe të punonjësve të drejtësisë.