Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami vizitoi Shkollën e Mesme të Lartë “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë, në të cilën edhe është promovuar vitin e kaluar Strategjia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016- 2020.
Ministri Bajrami, me këtë rast, ka ftuar mësimdhënësit që të ngrisin përgjegjësinë e tyre, sa i përket avancimit të metodave të mësimdhënies dhe punës së tyre në pajisjen e nxënësve me shkathtësi praktike.
Ministri Bajrami, ka thënë se rezultatet e Testit PISA, të publikuara ditë më parë, nuk duhet të demotivojnë askënd në përmbushjen e përgjegjësive të tyre, përkundrazi duhet të shtojnë kurajon për angazhim maksimal dhe ngritje të cilësisë në mësim.
Ministri Bajrami ka përmendur edhe tri shtyllat kryesore të Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë, e të cilat janë: reformimi i procesit të mësimdhënies, në mënyrë që të ofrohet mësimdhënie moderne, ndërtimi i karrierës së mësimdhënësve dhe fuqizimi i aspekteve praktike të planprogrameve.
Ministri Bajrami ka ftuar mësimdhënësit që të ngrisin kapacitetet profesionale dhe të promovojnë mësimin dual në shkolla, duke bërë që krahas shkollës, mësimi të zhvillohet edhe në kompani.
“Duhet të shkarkojmë planprogramet tona nga përmbajtjet teorike, duke fuqizuar aspektet praktike dhe duke promovuar shkathtësitë dhe kompetencat e nxënësve”, ka thënë ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, po ashtu bëri të ditur se, MAShT ka punuar në ndryshimin e politikave të licencimit të mësimdhënësve, në mënyrë që rilicencimi të bëhet duke u bazuar në punën dhe rezultatet e mësimdhënësve.
Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për ndërtimin e kornizës së zhvillimit profesional të mësimdhënësve, caktimin e çdo kordinatori për cilësi në shkollë, caktimin e pedagogut dhe psikologut dhe vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.