Brenda 24 orëve Qendra Emergjente në kryeqytet pranon 80 deri në 100 thirrje, prej të cilave realizohen deri në 50 intervenime, ku njëkohësisht intervenohet në komunën e Prishtinës, në fshatrat për rreth si dhe në aksidente në akset rrugore Mitrovicë, Ferizaj dhe Fushë-Kosovë.
Kryeshefi i Shërbimeve në Qendrën Emergjente, Isuf Bajrami në një intervistë për Ekonomia Online tha se edhe pse ndodhen në një situatë të stërngarkuar duke u ballafaquar me pandeminë, janë të pranishëm aty ku ka nevojë.
“Thirrjet variojnë varësisht prej situatës epidemiologjike por edhe nga patologjia që paraqitet te pacientët. Mesatarisht kemi 80 deri në 100 thirrje brenda ditës por i realizojmë kushtimisht 30 deri në 50 vizita që i bie për 24 orë kemi 80 deri në 100 intervenime në qytet po edhe në periferi në fshatra që gravitojnë në komunën e Prishtinës, njëkohësisht intervenojmë edhe për aksidente të komunikacionit në akset rrugore për Mitrovicë, Ferizaj, Fushë-Kosovë e me radhë, por edhe ka situata të jashtëzakonshme kur kërkohet t’i dalim ndihmë”.
“…mund të themi se jemi në një situatë të ngarkuar duke marr parasysh edhe pandeminë Covid-19, meqenëse kemi pasur edhe punëtorë të infektuar dhe reduktim të stafit, por me përpjekje dhe angazhim maksimal kemi arritur që të shumtën e rasteve të jemi aty ku kërkohet nevoja”.
Ai sqaroi se Qendra Emergjente brenda ditës operon me 5 ekipe mjekësore, derisa kanë 15 autoambulanca të cilat janë me kushte standarde.
“Ne kemi në dispozicion brenda ditës 4 deri në 5 ekipe mjekësore me kapacitete që i kemi, 15 autoambulanca i kemi por zakonisht katër ose pesë janë të aktivizuara gjatë ditës ngase në Qendrën e Mjekësisë Urgjente punohet në turne dhe këto janë auto-ambulanca standarde”.
Sa i përket stafit, Bajrami thotë se i plotësojnë nevojat mirëpo ai shton nevojën për rifreskim të kuadrit, ku tha se pritet që shumë shpejt të hapet edhe një konkurs.
Ndërsa, sa i përket thirrjeve të rrejshme Qendra Emergjente me këtë problem është ballafaquar qe nga pas lufta, mirëpo Bajrami thotë se tash popullata është vetëdijesuar të cilat janë të rralla.
“Stafi është i ngarkuar, i plotësojmë nevojat mirëpo kemi nevojë edhe për rifreskim të kuadrit, duke marr parasysh që kuadri është i stërngarkuar sidomos këtë vitin e fundit dhe për momentin ja dalim por shpresojmë se do të forcohemi me staf duke marr parasysh që pritet të shpallet një konkurs për plotësimin e nevojave të kujdesit parësorë shëndetësorë dhe pritet një konkurs për rifreskimin e stafit”.
“Ne me këtë problem jemi ballafaquar qysh nga pas lufta dhe me kalimin e viteve popullata është vetëdijesuar dhe nuk përjashtohet ndonjë thirrje e rrejshme, por kryesisht janë raste të rralla dhe mund them që po vërehet një vetëdijesim i qytetarëve, kemi thirrje që nuk i plotësojnë kriteret për intervenime urgjente, të cilat shërbime mund ti ofrohen pacientit në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare”.
Bajrami ka shprehu edhe shqetësimin sa i përket përdorimit të dhunës ndaj personelit shëndetësorë.
Ai thotë se duhet kuptuar edhe stafi shëndetësorë për ndonjë sjellje të pahijshme pasi që po ndikon edhe situata me pandeminë.
Bajrami shtoi se ky fenomen duhet të ndërpritet, duke shtuar se dhuna nuk tolerohet ndaj asnjë punëtori që ofron ndihmë mjekësore, raporton EO.
“Ky është një fenomen shumë shqetësues për të gjithë punëtorët shëndetësorë por edhe për shoqërinë tonë, dhe është fenomen që duhet ta luftojmë edhe ne, por duhet ta ndihmojë shoqëri, organet gjyqësore pastaj edhe mediet duhet ta luajnë një rol në këtë drejtim”.
“Mundësitë për pakënaqësia të pacientëve gjithnjë ekzistojnë, nuk mund të themi se edhe ne jemi engjuj sepse kemi gabime, ndoshta ndonjë sjellje të pahijshme nga ngarkesa frika dhe kjo situata e pandemisë na ka ngarkuar edhe neve, prandaj ne kërkojmë ndihmën e shoqërisë dhe këto fenomene duhet të ndërpriten, dhuna nuk tolerohet ndaj asnjë punëtori shëndetësorë që ofron ndihmë mjekësor”.