Qeveria e ardhshme duhet ta vërë si prioritet ngritjen e cilësisë në arsim. Kështu ka thënë ministri në detyrë, Arsim Bajrami, në konferencën me temën “Roli i arsimit të lartë në shoqëritë demokratike”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).
Bajrami ka thënë se gjatë mandatit të kaluar janë angazhuar për të rritur cilësinë dhe nivelin e edukimit, por ka shtuar se janë ballafaquar me probleme të shumta në këtë synim, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se kushdo që të jetë ministër i ardhshëm e presin punë dhe sfida të shumta. Ndërsa, shtoi se Qeveria e ardhshme duhet ta vërë si prioritet arsimin.
“Janë pesë shtylla që duhet të punojmë, e sfida e parë është edukimi cilësor. Nuk ka ekonomi pa edukim cilësor. Cilido ministër që vjen prioritet duhet të ketë edukimin, te rrisin nivelin e universiteteve dhe vetëm kështu mund të rrisim cilësinë tonë si shtet. Sfida e ndërtimit të cilësisë nuk janë te shpejta, por donë plan strategjik. Ne po punojmë në dy drejtime për forcimin e arsimit te lartë dhe cilësisë. Shtylla e dytë është ndërtimin strategjik në tregun e punës. Ne duhet t’i orientojmë universitetet tona në mënyrë që kuadrot të jenë në paralel më kërkesat e tregut te punës.
Sfida e tretë konkurrenca dhe transparenca”, ka thënë Bajrami teksa përmendi edhe sfidat për financim të arsimit të lartë në Kosovë.
Rektori i “James Madison University”, Jonathan Alger, ka thënë se edhe pse Kosova e ShBA kanë qenë në kohë zgjedhore nuk i kanë penguar sukseset në arsimit.
“Arsimi është gjëja më e rëndësishme e një shoqërie të shëndosh. Partneriteti ynë u zhvillua përgjatë disa viteve dhe pastaj kemi pasur memorandumin e mirëkuptimit. Ne shpresojmë që profesorët, stafi e studentët mund të lëvizin para përmes fakulteteve tona. Ky është synimi ynë i përbashkët. Marrëdhënia mes Kosovës dhe universitetit James Madison është në planin kyç dhe jemi zotuar që t’i dalim mbanë marrëveshjes sonë”, ka thënë Alger.
Rektori u Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, para të pranishmëve ka thënë se Universiteti i Prishtinës është universiteti më i vjetër dhe më i rëndësishmi në Kosovë. Dhe se kjo konferencë i kontribuon avancimit të mëtutjeshëm të tij.
“Edhe pas disa dekadave UP vazhdon të jetë vatra e universiteteve në vend. Arsimimi nuk pretendon të jetë zgjidhje e probleme të shoqërisë, por pa të nuk ka zgjidhje të mirë të mundur. Kjo konferencë do të vë në pah aspektin jetik për t’u diskutuar në shoqërinë tonë tranzicionale e cila po ec me hapa të sigurt drejt të ardhmes. Universiteti i Prishtinës që nga fillimi ka plan strategjik, që dmth në çdo proces i kemi përfshi edhe profesorët”, ka thënë ai teksa përfundoi duke thënë se Universiteti i Prishtinës është lider për studentët.