Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

Prishtinë | 07 Maj 2026 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë.

Bajrami përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, nuk paska qenë fundi.

Sipas saj edhe drejtësia shpallë konkurse në kundërshtim me ligjin.

“Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërgu vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore”, ka shkruar ajo.

Postimi i saj i plotë:

Nuk paska qenë fundi

Pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, qenkan shpallë edhe 3 pozita të tjera nga Ministria e Drejtësisë:

1. Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas,

2. Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar,

3. Drejtor i Përgjithshëm në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë,

Pra, edhe drejtësia, shpallë konkurse në kundërshtim me Ligjin,

Institucionet që lidhen me ndihmën juridike, me pasurinë e sekuestruar dhe me inspektimin brenda Ministrisë së Drejtësisë, u bënë pjesë e valës se konkurseve joligjore, dmth. zgjedhin udhëheqës në mënyrë joligjore detyrë e të cilëve është zbatimi i ligjit.

Ligji për Qeverinë është i qartë.

Neni 31 – Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje përcakton se Qeveria në dorëheqje:

“Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse.”

Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërgu vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore.

Ajo duhet të kryejë vetëm punët e domosdoshme, jo të hapë konkurse për pozita kyçe në administratë, agjenci, drejtësi e institucione publike. Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje.

Qeveria e re duhet t’i ndalë menjëherë këto procese, t’i shqyrtojë të gjitha konkurset e shpallura në këtë periudhë dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen vetëm me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet.

Të ngjashme