Ka filluar punimet Konferenca tradicionale “Java e Shkencës 2017”, në të cilën po marrin pjesë shkencëtarë të fushave të ndryshme nga vendi dhe rajoni, të cilët do të prezantojnë kontributet e tyre shkencore në promovimin e shkencës në Republikën e Kosovës.
Fjalën e hapjes, në seancën solemne të kësaj Konference, e ka mbajtur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili ndër të tjera shprehu vullnetin e tij për angazhimin e gjithëmbarshëm institucional për zhvillimin e shkencës dhe inovacionit në Republikën e Kosovës, si një instrument i fuqishëm i zhvillimit ekonomik.
Ministri Bajrami, me këtë rast vlerësoi se, “Java e Shkencës” po shndërrohet në një nga eventet më të rëndësishme rajonale, si një aktivitet shumë i rëndësishëm, i cili mbledhë shkencëtarët e shumë shteteve dhe si një mundësi e mirë e stimulimit të hulumtimit shkencor në Republikën e Kosovës.
Ministri Bajrami tha se, sot nuk mund të paramendohet zhvillimi ekonomik i një shteti pa kontributin e shkencëtarëve dhe pa kërkimet e mirëfillta.
“Republika e Kosovës, si një shtet i ri, i cili po aspiron integrimin evropian, duhet të angazhohet shumë më shumë në përkrahje të shkencës, në ndarjen e fondeve më të mëdha për të stimuluar hulumtimin shkencor, në orientimin e hulumtimit shkencor drejt nevojave të zhvillimit ekonomik dhe në përkrahjen dhe stimulimin e hulumtuesve dhe shkencëtarëve të rinj”, është shprehur Ministri.
Ministri Bajrami po ashtu theksoi se, “Java e Shkencës” është edhe reflektim i asaj se çfarë janë standardet e hulumtimit dhe të bërit shkencë në Kosovë, sepse shkenca rezulton me progres në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një lidershipi, i cili mundëson tranzicion të suksesshëm ekonomik dhe shkencor të vendit.
Ndër të tjera, Ministri shprehu edhe nevojën e Kosovës për përfshirje në hapësirën evropiane të shkencës, duke qenë se BE përmes programeve të ndryshme mbështet hulumtuesit e rinj.
Ndryshe, në Konferencën “Java e Shkencës 2017” do të prezantohen rreth 250 punime shkencore të ndara në 12 sesione tematike për katër ditë sa do të zgjasë Konferenca.