Balaj: Më ngacmojnë shokët për golat me kokë

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 22:09 | Nga

Bekim Balaj është një nga pikat e referimit që ka skuadra e Terek Groznit. Sulmuesi shkodran ka shënuar në dy ndeshjet e fundit që ajo ka fituar në kampionat dhe tashmë ai është një ndër futbollistët nën vëmendje edhe për takimet e ardhshme.

Në një intervistë për faqen e klubit, Balaj është pyetur në lidhje me formën që po kalon dhe për faktin që së fundmi shënon vetëm gola me kokë.

balaj

“Është e vërtetë që po kaloj një formë të mirë. Kam shënuar në ndeshjet e fundit dhe këtë gjë e bëra edhe me kombëtaren. Jam i përqendruar dhe dua të bëj më të mirën sa herë që jam në fushën e lojës, si në kampionat, ashtu edhe në çdo grumbullim me Shqipërinë”, është shprehur fillimisht Balaj.

Batuta

Më tej, shkodrani është pyetur edhe për faktin që golat e tij po vijnë me kokë. “Në fakt, nuk shquhem të shënoj shumë me kokë, megjithatë nuk më intereson aspak kjo gjë. Në Kroaci nuk kam bërë shumë gola me kokë, vetëm dy ose tre nga 20. Kam realizuar me këmbë nga pozicione të ndryshme. Megjithatë, miqtë kanë filluar të bëjnë shaka me faktin që po e bëj këtë gjë (qesh)”, ka vijuar sulmuesi i Terek Groznit.

Sfida

Këtë javë, ekipi i Republikës së Çeçenisë do të ketë përballë Amkarin. “Unë dua të shënoj sërish. E bëra në dy ndeshjet e shkuara dhe fatmirësisht ekipi fitoi. Kjo gjë ndodhi edhe me Kombëtaren. Shpresoj që të shënoj edhe këtë ndeshje, por mbi të gjitha uroj që të marrim tri pikët pa pasur shumë rëndësi se kush do të shënojë”, ka deklaruar Balaj.

bekim balaj

Kombëtarja

Sulmuesi kuqezi është pyetur edhe në lidhje me sfidat që e presin Shqipërinë përballë Italisë dhe Spanjës. Për shkodranin, ato janë ndeshje që për momentin nuk merren aspak në konsideratë, pasi përballë është Lihtenshteini. “Ishte e rëndësishme që ta nisnim me fitore kundër Maqedonisë.

Për mua personalisht ishte kënaqësi e madhe se shënova në qytetin tim të lindjes dhe mbi të gjitha i dhashë fitoren Kombëtares. Për ne, e radhës është Lihtenshteini dhe duhet patjetër që të marrim rezultat pozitiv. Spanja? Ka kohë për të menduar për të, por e rëndësishme është që në përballjen kundër tyre të kemi gjashtë pikë”, ka deklaruar Bekim Balaj në intervistën e dhënë për faqen zyrtare të skuadrës së Terek Groznit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme