Një copë historie për personat e zhdukur në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë do të shpaloset edhe në Bullgari. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës do ta rrëfejnë këtë histori nëpërmjet lojës me lëvizje, me shfaqjen “Xhulieta pa Romeon”.
Në ditën e pesëmbëdhjetë të këtij muaji shfaqja me koreografi të Darrel Toulon – e dhënë premierë në Prishtinë në qershor të vitit të kaluar – do të jepet në ditën e tretë të festivalit bullgar të muzikës dhe baletit “MozartFest”, në qytetin Pravets, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pas rrëfimit për Xhulietën, e cila mbetet pa Romeon sherri i luftës, balerinët kosovarë do të ngjiten në skenë për të sjellë një tjetër histori dashurie. “Dasma” me koreografi të Mehmet Ballkan – e dhënë premierë në tetor të viti 2013 në Prishtinë, e cila trajton fatin e një çifti që pengesë për bashkim e kanë armiqësinë midis popujve që u takojnë, po ashtu do të shfaqet para audiencës bullgare.
E në edicionin e 13-të, për pesë ditë në këtë festival që mbahet afër liqenit të qytetit bullgar, do të prezantohen koncerte, shfaqje operash, pos të tjerash, edhe nga Filarmonia e Sofjes e ansamble të tjera shtetërore nga Bullgaria e vende të tjera.