Në gjendje kolapsi financiar tash e tre muaj, ende pa e pasur në dispozicion buxhetin e kërkuar për mëditje e transport, Baleti Kombëtar i Kosovës ia ka mësyrë Bullgarisë për ta shfaqur “Xhuljetën pa Romeon”.
Balerinët kosovarë do të prezantohen në qytetin bullgar Ruse, të premten e kësaj jave. Por dy ditë para nisjes drejt Bullgarisë, udhëheqësit e këtij institucioni e kanë konfirmuar që nuk i kanë mjetet e nevojshme për të mbuluar shpenzimet. Për BKK-në, ky është prezantimi i dytë brenda vitit në shtetin bullgar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Prej së enjtes së javës së kaluar asnjë prej institucioneve të kulturës e të trashëgimisë kulturore nën varësi të Ministrisë së Kulturës nuk kanë asnjë cent në xhirollogari dhe nuk mund të bëjnë asnjë pagesë.
Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se të martën është takuar me sekretarin e Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, prej të cilit ka marrë premtime se mjetet e nevojshme për prezantimin në Bullgari do të barten në këtë institucion sot (e mërkurë). Balerinët do të nisen drejt qytetit bullgar mëngjesin e së enjtes.