Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka pritur një delegacion nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara (ShBA) në Prishtinë, me qëllim të diskutimit të mundësive për bashkëpunim në fushat e arsimit, kulturës e rinisë.
“Bashkë me Drejtorin e Arsimit, Hisni Luri, prita në takim Ray Nayler, zv.drejtorin për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën Amerikane, Besim Kokollari, specialist për Marrëdhënie me Publikun, si dhe Rina Musa, koordinatore për Rininë”, ka shkruar Ballazhi në faqen e tij, në Facebook.
“Ky takim u realizua në kuadër të programit të brendshëm të krijuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë për t’i vizituar komunat e Kosovës, që të shikojnë, dëgjojnë e analizojnë sukseset, nevojat dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim strategjik në fushën e arsimit, kulturës e rinisë”.
Pas takimit, mysafirët kanë vizituar Qendrën Përkujtimore “Bllaca 99” dhe Kompleksin e Dëshmorëve në Puset e Nikës.
“Hanin e Elezit do ta kthejmë në një vend mikpritës e tërheqës për të gjithë miqtë tanë kombëtar e ndërkombëtar”, ka theksuar Ballazhi.