Ballkani e ka vajtuar barazimin 2:2 me Prishtinën, duke i akuzuar gjyqtarët se qëllimshëm ia mohuan fitoren, e cila do ta bënte lider të Superligës, duke ia anuluar një gol për pozitë jashtë loje.
Klubi nga Rahoveci ka thënë madje se do t’i kërkojë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të angazhojë gjyqtarët të huaj për të referuar në dy javët e mbetura në ligën elitare, si shenjë pakënaqësi me paraqitjet e gjyqtarëve vendorë.
Ballkani e pati dy herë epërsinë prej një goli, falë golave nga Blend Baftiu nga penalltia dhe golit mbresëlënës të Kushtrim Gashit, por Prishtina e barazoi rezultatin të dy herët përmes Endrit Krasniqit nga penalltia dhe Otto John.
Momenti kyç në ndeshje, megjithatë, ishte goli i Arbër Potokut, i cili u anulua për shkak se, gjyqtari anësor, vlerësoi se Mirlind Daku e preku topin në vijën e portës nga pozicioni jashtë lojës.
Video xhirimet megjithatë tregojnë se Daku e kishte prekur topin pasi ai e kishte kaluar vijën e portës dhe sikur goli i Potokut të pranohej, Ballkani do të krijonte epërsi prej 3:1.
Skuadra e Ismet Munishit ngel dy pikë prapa lideres, Dritës dhe një prapa Gjilanit, me të cilat do të takohet në dy javët e fundit të këtij kampionati.
Klubi nga Suhareka është ankuar se i është bërë e padrejtë dhe e ka quajtur gabim të qëllimshëm anulimin e golit të Potokut.
“Gjatë zhvillimit të minutës së 49’ kur rezultati ishte 2:1 gjyqtari anësor (asistenti i dytë) Imran Kabashi anulon golin e pastër të Arbër Potoku, me pretendimin se futbollisti Merlind Daku ka prekur topin duke qenë në pozitë jashtë loje. Kjo është e pa vërtet dhe plotësisht tendencioze, pasi që në momentin e prekjes së topit ai ka kaluar vijën fundore në tërësi”, thuhet një një reagim të Ballkanit në Facebook.
“Ku sipas njerës nga regullat themelore të futbollit (arritja e golit të rregullt) konsiderohet atëherë kur topi kalon më tërë perimetrin e tij vijën fundore. Ky gabim i qëllimshëm ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar të ndeshjes, me ç’rast jemi dëmtuar rëndë. Nuk është hera e parë që FC Ballkani dëmtohet kur ndan drejtësinë gjyqtari Gramos Shala, ju kujtojom mos akordimin e penaltisë në javen e 17 ndaj FC Vushtrria, në Vushtrri”.
Ballkani shtoi: “Duke parë nivelin e referimit të disa gjyqtarëve dhe zhvillimet e fundit të ndarjes së drejtësisë, do të kërkojmë nga organi kompetent FFK që të angazhojmë gjyqtar të huaj.”