Ballkani ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Prishtinës në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në BKT Superligën e Kosovës.
Therandasit janë treguar të fortë për kryeqytetasit në ndeshjen derbi të javës të zhvilluar në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë, me të dyja skuadrat që tentonin kohë pas kohe golin e epërsisë.
Megjithatë, asnjëra nuk arriti ta tund rrjetën, por ajo që vlen të theksohet është ndëshkimi i Gauthier Mankendas me karton të kuq në minutën e 29-të.
Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më e mirë shkaku edhe i epërsisë numerike dhe arritën të shënojnë dy gola për të siguruar fitoren.
Goli i parë erdhi në minutën e 58-të me anë të Theophilus Somonon, i cili shënoi me kokë për 1-0 pas asistimit të Ermal Krasniqit.
Asistuesi i golit të parë, Krasniqi (71’) shënoi një gol të bukur për epërsinë 2-0 dhe përkundër shumë rasteve tjera ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Ballkani rikthen pozitën e parë me 21 pikë, ndërsa Prishtina renditet e pesta me 13 pikë.
Në ndeshjen e radhës, therandasit udhëtojnë te Ulpiana, teksa kryeqytetasit e presin Drenicën. /Telegrafi