Ekonomia Online
FUNDIT

Ballkani ndalet edhe në Prishtinë

Ballkani ndalet edhe në Prishtinë

Flamurtari ka ndalë Ballkanin që nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në udhëtimin në Prishtinë. Ndeshja e xhiros së 24-t që u zhvillua në stadiumin e Flamurtarit, përfundoi pa gola. Kjo është ndeshja e dytë rresht kampionale që Ballkani e luan pa gola që nga rifillimi i garave të Superligës së Kosovës […]

Flamurtari ka ndalë Ballkanin që nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në udhëtimin në Prishtinë.

Ndeshja e xhiros së 24-t që u zhvillua në stadiumin e Flamurtarit, përfundoi pa gola. Kjo është ndeshja e dytë rresht kampionale që Ballkani e luan pa gola që nga rifillimi i garave të Superligës së Kosovës në futboll, pas pauzës shkaku i koronavirusit.

Me këtë pikë të fituar, Flamurtari mbetet në pozitën e tetë por me 29 pikë të mbledhura derisa Ballkani renditet i dyti me 46 pikë sa i ka edhe Drita që është lidere dhe luan të dielën kundër Trepçës ’89 në udhëtim. Ballkani i Suharekës javën e kaluar humbi pozitën e parë. Të premten dështoi ta kthej atë.

“E dominuan lojën, patëm raste, por duket se fati po na mungon”, ka thënë Agim Maliqi, trajner te Ballkani.

“Kundërshtari ishte mjaft i rrezikshëm, por luftuam deri në fund dhe merituam pikën, edhe pse Ballkani pati raste të mira shënimi. Na mbetet të punojmë që të përmirësohemi edhe më shumë”, ka thënë trajneri i Flamurtarit, Synaj Keqi.

Të premten është zhvilluar edhe një ndeshje tjetër e kësaj xhiroje, ku Feronikeli fitoi me rezultatin 2:0 në Klinë ndaj Dukagjinit. Golat për ekipin mysafir i realizuan Mevlan Zeka (49’) e Da Silva (88’). Nikli me këtë fitore ka 40 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë. Ndërkohë, Dukagjini mbetet i fundit me dhjetë pikë pas 24 ndeshjeve të luajtura këtë edicion.

Të ngjashme