Ballkani Perëndimor duhet të rrisë burimet e ripërtërishme tani – jo në të ardhmen, thuhet në tryezën e organizuar nga Agora Energiewende dhe INDEP

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 12:11 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agora Energiewende nga Gjermania dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë organizuar tryezën me temën “Marrëveshjet e blerjes së energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor – Mundësitë dhe pengesat”.

Tryeza organizohet në kohën kur lufta në Ukrainë ka shprehur nevojën që Evropa të dalë nga varësia e importit të karburanteve fosile sa më shpejt që të jetë e mundur, që do të thotë se ndërtimi i sasive të mëdha të burimeve të ripërtërishme duhet të bëhet realitet në të tashmen, e jo në të ardhmen.

Për më tepër, burimet e ripërtërishme ofrojnë mbrojtje natyrale kundër cenueshmërisë së çmimeve të tregjeve dhe të mbrojnë konsumatorët fundorë nga paqëndrueshmëria e çmimeve të energjisë nga burimet fosileve, duke kontribuar kështu në pavarësimin e energjisë dhe sigurinë e furnizimit. Prandaj, kapacitetet e konsiderueshme të erës dhe ato fotovoltanike duhet të instalohen në Ballkanin Perëndimor në një afat kohor relativisht të shkurtër, por këto vende ende po përballen me barriera të shumta që pengojnë rritjen e zgjerimit të burimeve të ripërtërishme, u tha në debatin me ekspertë të energjisë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës etj.

Besiana Qorraj Berisha, zyrtare e lartë për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, tha se një ndër objektivat është edhe dekarbonizimi dhe promovimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë.

“Palët kontraktuese janë të obliguara ta bëjnë transfuzimin e direktivave për energji të pastër. Duke marrë këto obligime Kosova veçse ka filluar të hartojë Projektligjin për energji të ripërtërishme. Grupi punues është themeluar”, u shpreh ajo.

“Një ndër objektivat është edhe dekarbonizimi dhe promovimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë. Ne do të mbajmë edhe dy takime, një me organizatat joqeveritare dhe një takim tjetër me donatorë, që të diskutojmë draftin final. Paralelisht edhe me Projektligjin për burime të ripërtërishme ne kemi formuar një grup punues për identifikimin e skemës së re për burimet e ripërtërishme, në mënyrë që ankandi i parë të këtë vit të tenderohet dhe të jetë i gatshëm”.

“Jemi në zhvillim të tri ligjeve: Ligji për Energjinë elektrike, Ligji për Energjinë dhe Ligji për Rregullatorin e Energjisë”, tregoi ajo.

“Çështja e konservimit të energjisë, besoj, do të trajtohet në tri ligjet dhe së bashku me KOSTT-in dhe ZRRE-në do të vendoset se si do të trajtohet”.

Sonja Risteka nga Agora Energiewende tha se qëllimi i tyre është të ndihmojnë me agjendën e gjelbër në rajon dhe në botë. “Duke ofruar njohuri duke krijuar bashkëpunim, duke ndërtuar një urë në mes të Brukselit Berlinit dhe Ballkanit”.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për krizën energjetike dhe luftën në Ukrainë dhe kjo i ka fryrë çmimet dhe e ka qitë në ballë të diskutimeve krizën energjetike. Burimet e ripërtërishme janë një temë që po ashtu është duke dalë në pah, në kuptim të rëndësisë që e kanë”.
Ajo tha se Kosova është në zhvillim e sipër dhe se duhet të gjendet një mënyrë sesi t’i fusim në funksion burimet e ripërtërishme. “Një gjë që është me rëndësi për Kosovën, Kosova është në buzë të dizajnimit të një të ardhmeje të re energjetike” .

Rita Kunert, këshilltare e Energjisë në Enervis, GmbH, tregoi se është konsulente me bazë në Berlin dhe merret me modelim dhe analiza ta tregut. “Kemi punuar në sektorin e modelimit të sektorit të energjisë. Kemi bërë një numër të studimeve se si sektori i energjisë do të duket në shtetit e Ballkanit… Në momentin që kemi filluar, pyetja kryesore ka qenë që të bëjmë një pasqyrë të energjisë të dekarbonizuar se si do të duket deri në vitin 2045”.

“Diskutuam se cilat janë skenarët e tregut që i përgjigjen pyetjeve që kanë të bëjmë me dekarbonizimin krahasuar me skenarët me bazë të fosileve. Pastaj e kemi edhe modelin evropian. Për 2050 e bëmë modelin pastaj vlerësuam skenarët”.

“Të gjitha rezultatet janë të agreguara për Ballkanin perëndimor. Kosova është e përfshirë në këto rezultate, po se kemi fokusin vetëm në Kosovë e kemi një pamje rajonale”.

Ajo foli për vijën kohore të tranzicionit 2022-2045 dhe zhvillimin e kapaciteteve të sektorit energjetik për krejt Ballkanin. “Për të mbërritur atë kombinim që po synojmë, duhet të fillojmë tranzicionin sot, thuajse sot”.

Duke e përmbledhur diskutimin e saj, Kunert theksoi se dekarbonizimi i tregut të energjisë është i mundshëm dhe me kosto efektive.

Në vazhdim të diskutimi, Dardan Abazi nga INDEP e pyeti zyrtaren e ME-së se kur do të përfundohet Strategjia për Energji. “A është çështje ditësh?”

Qorraj-Berisha tha se nuk dëshiron të japë një datë, “pasi gjithmonë po dalin jashtë datës”. “Strategjia thuajse është finalizuar, por për shkak të Planit të Veprimit që duhet të ketë aktivitete dhe kosto reale, këtu pak a shumë kemi ngecje. Po besoj që shumë shpejt do të jetë në diskutim publik”, tha ajo.

Avni Syla nga kompania ELEN, e cila merret me energji të ripërtërishme, pyeti për modelin e Ankandit për Energji të Ripërtritshme. “Institucionet tona a kanë legjislacion që e rregullon procedurën e ankandit; nëse se kanë a është menduar të merret ndonjë model të ndonjë shteti referues, apo do të jetë model unik i ndërtuar për situatën që e kemi në Kosovë”.

Qorraj-Berisha tha se ankandi i parë është i bërë nga disa institucione, si pilot-projekt.

“Ne si grup punues i kemi bërë edhe disa institucione ZRRE, KOSTT, AKP, Ndihma Shtetërore, Agjencioni i Konkurrencës, në mënyrë që këto institucione të japin kontributin e tyre. Çdo ditë do të jeë një kapacitet që del në ankand dhe do të jenë të kombinuara me erë dhe solare”, shpjegoi ajo.

“Politikat i bën Qeveria, përderisa ne e kemi një grup, japim rekomandime pastaj ministrja vendos me sa megavatë do të shkohet”.

Qorraj-Berisha tregoi se mbështeten nga USAID-i.

Të ngjashme