Ballkani do të mundohet ta vazhdojë ëndrrën evropiane, në debutimin e tij në garat ndërkombëtare.
Therandasit i ndajnë vetëm dy lojë nga kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Për ta bërë këtë arritje të madhe, ata duhet ta kalojnë pengesën e quajtur Shkupi, shkruan “Gazeta Express”.
Kampioni kosovar do të përballet sonte me ekipin nga Maqedonia e Veriut në “play-off” të kësaj gare.
Loja e parë do të luhet në Shkup duke filluar nga ora 21:00.
Ekipi nga Suhareka është mjaft i motivuar për ta çuar deri në fund misionin e nisur.
Skuadra Portokalli ka ushtruar dje në kryeqytetin maqedonas, ndërsa është gati për sfidën që e pret sonte në stadiumin “Arena Todor Proeski”.
Trajneri Ilir Daja e ka përgatitur si duhet ekipin, i cili synon të dalë sa më mirë nga sfida e parë, për ta shfrytëzuar më pas maksimalisht përparësinë e të luajturit vendës në lojën e kthimit pas një jave.
Nga ana tjetër, shkupjanët kanë respekt maksimal për kundërshtarin e sontëm, të cilin e vlerësojnë lartë.
Megjithatë, ekipi shqiptar nga Maqedonia e Veriut do ta kërkojë fitoren në shtëpi për të qenë më i qetë në lojën e kthimit.
Të dyja tifozeritë shqiptare pritet të krijojnë atmosferë të shkëlqyeshme nga tribunat.
Për secilin ekip, kualifikimi në fazën e grupeve do të ishte një arritje historike.
Ballkani faktikisht veçse e ka shkruar historinë duke shkuar deri në fazën e “play-offit”.