Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, tha se zbatimi i marrëveshjeve midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ka shënuar përparim të konsiderueshëm.
Në raportin e fundit tremujor, që do të prezantohet më 25 shtator në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ban fajësoi të dyja palët për mospërmbushje të detyrimeve.
“Situata e tensionuar politike dhe protestat e opozitës kanë ndikuar në angazhimin e Prishtinës, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe procesi i formimit të qeverisë kanë ndikuar në vëmendjen e Beogradit”, thuhet në raportin që përfshin periudhën nga 16 prilli deri më 15 korrik.
Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Ban ka ftuar udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të tregojnë kreativitet, fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis, me qëllim që të arrihet përparim në dialogun për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në periudhën që mbulon raporti nuk ka pasur takime në nivel të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse janë mbajtur katër në nivel teknik.