Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim drejtorin e ri të Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë Marco Mantovanelli. Në këtë takim u bisedua për kontributin e Bankës Botërore që ka dhënë për Kosovën si dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve me theks të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ministri i Financave Avdullah Hoti duke i uruar përfaqësuesit të Bankës Botërore në Prishtinë Marco Mantovanelli emërimin e tij Drejtor të Bankës Botërore në Kosovë, e njoftoi atë për të hyrat në Buxhetin e Kosovës, ku sipas tij kanë shënuar një rritje të konsiderueshme dhe kjo ka ardhur si rezultat i luftës kundër informalitetit, ndryshimit të politikave fiskale, por edhe ndërgjegjësimit të bizneseve sa i përket pagesës vullnetare të tatimeve.
Ai gjithashtu tha se kontributi dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore ka qenë shumë i mirë sidomos në projektet në të cilat ka kontribuar BB-ja, projekte të cilat kanë dhënë rezultatet e tyre në shoqërinë tonë, si dhe shprehi bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe BB-së do të vazhdoj edhe në të ardhmen, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit.
Ndërsa, drejtori i ri Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë Marco Mantovanelli, duke falënderuar ministrin Hoti për pritjen u shpreh se interesimi i Bankës Botërore është që të kontribuoj në uljen e papunësisë në Kosovë me projekte konkrete dhe për këtë nuk do të mungoj as përkrahja e Bankës Botërore e imja personale për Kosovën.