Banka Botërore ka njoftuar se ka finalizuar marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës në vlerë prej 50 milionë euro.
Për gjatë muajit të kaluar Banka Botërore ka punuar ngushtë me Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të identifikuar objektivat e projektit emergjent që do të ndihmonin Kosovën të parandalojë, identifikojë, dhe të iu përgjigjet nevojave të situatës me pandeminë Covid-19 dhe forcimin e sistemit publik shëndetësor.
Sipas njoftimit të BB-së marrëveshja përfshinë procedurat e përshpejtuara për furnizim me barëra dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor në testimin dhe identifikimin e hershëm të Covid-19 dhe mobilizimin e stafit shtesë shëndetësor.
Gjithashtu ky plan parasheh edhe një mbështetje të përkohshme ndaj skemave të asistencës sociale brenda Pakos Emergjente.
Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet me 2/3-tat e votave në Kuvendin e Kosovës.
Marrëveshja është pjesë e ndihmës së Bankës Botërore për të përballuar situatën me Covid-19 në vlerë prej 120 milionë eurosh.