Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka prezantuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Drejtori i kësaj zyre, Marco Mantovanelli, tha se Kosova është ndër vendet me rritjen më të madhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kemi rritje pozitive në disa vende përfshirë edhe Kosovën. Kemi 4 për qind të rritjes. Kemi projektuar që situata do vazhdojë të jetë stabile. Lajmi më pak pozitiv është se krijimi i vendeve të punës është zvogëluar, është ngadalësuar në gjithë rajonin dhe më pak punë janë duke u krijuar dhe prodhimi nuk po krijon vende pune”, tha Mantovanelli.
Gjatë prezantimit të raportit janë theksuar edhe mangësitë e tregut të punës.
“Raporti propozon disa analiza më të thella për të siguruar që disa rekomandime të bëhen se si të trajtohet gjendja e tanishme e krijimit të vendeve të punës. Rruga përpara është stabile megjithatë ka disa paqëndrueshmëri. Kemi debatin për Brexit që po krijon vështirësi. Brexit pa marrëveshje mund të ketë ndikim edhe në Evropë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Gjithashtu ka tensione globale të tregtisë mes ShBA dhe Kinës që mund të reflektojnë në këtë rajon. Nga aspekti i brendshëm ekonomik problemi vjen nga çështjet fiskale”, tha ai, raporton EO.
Ai ka thënë se në Kosovë duhet të rritet efikasiteti në arsim e shëndetësi.
“Sa i përket Kosovës, ne kemi vlerësuar një rritje për 2018 me 4.2 për qind. Është një prej rritjeve në të mëdha dhe kjo është e shtyrë nga i investimet private dhe publike. Pastaj eksportimi i shërbimeve që kanë të bëjnë kryesisht me diasporën. Kemi vlerësuar se kjo rritje do jetë e qëndrueshme. Duhet të materializohet kjo rritje edhe me vende të punës. Është një zvogëlim në punëdhënie, por shqetësim pra është se nuk ka vende pune. Ka të rinj që dalin nga arsimi dhe dëshirojnë t’i bashkohen tregut të punës. Nga ana e rrezikut po shohim shpenzimet publike që po shkojnë kah rrogat dhe pastaj përfitimet e disa kategorive si ata të luftës dhe të tjerëve”, tha ai.
Ai tha se pret rezultate pozitive edhe për tri vitet në vazhdim, për zhvillim në rritje.
“Projeksionet për 3 vitet e ardhshme janë pozitive për Kosovën megjithatë kemi rreziqe të jashtme duke marrë parasysh çka po ndodhë me vendet evropiane. Tani është koha që të shtyjnë përpara krijimin e kapitalit njerëzor dhe konkurrueshmërinë dhe produktivitetin njerëzor. Kjo është me rëndësi për të krijuar hapësirë në buxhet”, u shpreh ai.
Ekonomistja Asli Senkal, tha se pavarësisht që rritja ekonomike në Kosovë është e fuqishme, është edhe e cenueshme.
“Konsumi është rritur gjithashtu dhe kjo është shtyrë nga rrogat më të larta dhe remitencat dhe kreditë konsumuese më të larta. Eksportet neto janë tkurrur. Turizmi është rritur në anën tjetër, eksportet e turizmit janë rritur dhe këto janë rritur nga diaspora. Derisa rritja ka qenë e fuqishme në 2018 kjo jo domosdoshmërish është kthyer në krijim të vendeve të punës. Numri i të punësuarve është zvogëluar në fabrika, bujqësi ndërsa është rritur në sektorët me shumicë dhe pakicë. Shkalla e papunësisë është rritur për shkak të shkallës së joaktivitetit për 2018. Kjo nënkupton se Kosova është popullatë e re dhe popullata e aftë për punë është në rritje. Pjesëmarrja është zvogëluar me 18 për qind të tregut të punës. Tregu i punës është i vogël me 14.8 për qind që është më e ulëta në rajon”, ka thënë ajo, raporton EO.
“…Kur vie puna te e ardhmja, e ardhmja është pozitive. Një rritje më e lartë prej 4.5 për qind parashihet në dy vitet e ardhshme. Megjithatë projeksionet përballen me rreziqe. Rritja më e ulët në BE mund të shtyjë financime të jashtme pasi të hyrat mund të zvogëlohen dhe kund të ketë rreziqe për Kosovën. Po ashtu është ligji për pagat që krijon rreziqe fiskale për implementimin 2019-2020. Sa i përket reformave ky është momenti i duhur për reforma. Është thelbësore ta ruajmë qëndrueshmërinë mikrofiskale për rritje më të madhe potenciale”, tha ajo.