Banka Botërore është duke ndihmuar në zvogëlimin e kostove për firmat për testimin e produkteve dhe marrjen e certifikatave të njohura ndërkombëtarisht, nëpërmjet një huaje të re prej 15,3 milionë dollarëve, për të përmirësuar konkurrencën e eksporteve dhe produktivitetit në Kosovë.
Projekti i Konkurrencës dhe Gatishmërisë për Eksport në Kosovë, i miratuar sot, do të ndihmojë si firmat ashtu edhe konsumatorët në vend duke mbështetur certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të tilla si Bashkimi Evropian, duke forcuar kapacitetin e firmave të orientuara kah eksporti, dhe duke ulur koston e inspektimeve të biznesit.
Këto firma, që përfshijnë rreth 1.500 eksportues, do të përfitojnë nga kostot më të ulëta për këto shërbime, ndërsa 150 firma të tjera do të marrin grante përputhëse për t’i ndihmuar ato në marrjen e certifikatave dhe realizimin e standardeve të produkteve, si dhe në shfrytëzimin e shërbimeve për zhvillim të biznesit. Këto iniciativa janë dizajnuar ashtu që nga ato të përfitojnë drejtpërdrejt konsumatorët në Kosovë, të cilët do të fitojnë mbrojtje të shtuar nga produktet e cilësisë së ulët.
“Duke pasur parasysh tregun e saj të vogël vendor, rritja e konkurrencës së eksportit është e domosdoshme për rritje dhe krijim të vendeve të punës në Kosovë”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë. “Banka Botërore me kënaqësi mbështetë forcimin e shërbimeve të certifikimit të cilësisë së produkteve për firmat dhe thjeshtimin e sistemit të inspektimit të biznesit.”
Eksportet mbeten në mënyrë të konsiderueshme më të ulëta se në të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore, si dhe në shtetet krahasimisht të vogla. Vetëm rreth 5 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë eksportojnë aktualisht, dhe shkalla e mbijetesës së këtyre eksportuesve është e ulët.
“Projekti është dizajnuar për të ndihmuar arritjen e njohjes ndërkombëtare për cilësinë e produkteve të Kosovës dhe për të mbështetur dhe theksuar gatishmërinë për eksport të bizneseve në vend” tha Paulo Guilherme Correa, Menaxher për Sektorin e Tregtisë dhe Konkurrencës për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Projekti do ta ndihmojë Agjencinë Kosovare të Metrologjisë (AKM) dhe Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës për t’u kualifikuar për t’i nënshkruar marrëveshjet për njohje me Komitetin Ndërkombëtar të Peshave dhe Masave dhe Forumin Ndërkombëtar për Bashkëpunim/Akreditim të Laboratorëve. Ky kualifikim mund të mbështesë qëndrueshmërinë e Sistemit Kombëtar të Infrastrukturës së Cilësisë të Kosovës. Këto përpjekje do të ndihmojnë si këtë sistem ashtu dhe laboratorët e vendit që të njihen më tej në tregjet me vlerë të lartë, të tilla si Bashkimi Evropian – duke zvogëluar kostot për firmat për marrjen e raporteve dhe certifikatave të testimit të njohura ndërkombëtarisht. Gjithashtu, projekti do të financojë pajisje, do të lehtësojë trajnimin, dhe do të futë në përdorim dhe do të përmirësojë sistemet e TIK-ut për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në reformimin e sistemeve të saj të inspektimit të biznesit.
Huaja është një kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore, që është një fond për vendet me nevojat më të mëdha për zhvillim. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Afati i maturimit të huas është 25 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë 5 vjeçare. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, gjatë një periudhe prej pesë vitesh.