Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se Diaspora në vazhdimësi është treguar mjaft e qëndrueshme dhe ka shërbyer si burim shumë i rëndësishëm i financimit të ekonomisë së Kosovë.
“Përveç remitencave, të cilat deri në shtator 2018 janë në shumë prej 587.9 milionë euro, ekonomia e Kosovës përfiton mjaft shumë nga diaspora edhe përmes kanaleve të tjera, siç janë shpenzimet e udhëtimit dhe investimet e huaja direkte. E tërë kjo flet për një kontribut shumë të rëndësishëm të diasporës tonë në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Mehmeti në një intervistë për RTKlive.
Sipas tij BQK-ja ta forcojë edhe më tutje rolin e saj për t’i siguruar ekonomisë së vendit një sektor financiar të qëndrueshëm dhe me rol edhe më të madh në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Këtë synojmë ta arrijmë duke zhvilluar një politikë të shëndoshë të licencimit të institucioneve financiare, e cila duke shtuar numrin e institucioneve financiare kredibile që operojnë në tregun tonë, do të mundësojë krijimin e kushteve për rritje të mëtejme të konkurrencës dhe zhvillim të qëndrueshëm të sistemit financiar të vendit. Zhvillimi i vazhdueshëm i funksionit rregullativ të BQK-së do të vazhdojë të jetë prioritet i rëndësishëm, me çka synojmë t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate evoluimit të nevojave rregullative në sistemin financiar, si dhe t’i paraprijmë zhvillimeve të pritshme në këtë sistem në mënyrë që korniza rregullative të mos bëhet pengesë, por të ketë rol të rëndësishëm lehtësues në zhvillimin e sistemit financiar”, tha ai.
Intervista e plotë me guvernatorin Mehmeti:
RTKlive: Si e vlerësoni vitin 2018?
Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës po përmbyll edhe një vit të suksesshëm, gjatë të cilit sistemi financiar ka arritur të ruajë stabilitetin dhe të avancojë edhe më tutje rolin e tij në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. Aktiviteti i sektorit bankar edhe gjatë këtij viti u karakterizua me rritje të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe përforcim të mëtejmë të gjendjes së qëndrueshmërisë. Kreditë e sektorit bankar arritën shumën prej 2.7 miliardë euro në tetor 2018, duke shënuar rritje vjetore prej 11.6%. Burimi kryesore i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, vlera e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.2 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 6.9%. Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.6% nga 6.8% sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar. Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.7% në tetor 2018, e cila shënoi rënie të mëtutjeshme në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 3.6%. Me zhvillime të favorshme u karakterizuan edhe sektorët tjerë përbërës të sistemit financiar. Vlera e aseteve të sektorit pensional në shtator 2018 arriti në 1.76 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.2 përqind. Kthimi nga investimet e fondeve pensionale vazhdoi të jetë pozitiv, gjë që tregon për rritje të vlerës së kursimeve pensionale të qytetarëve. Sektori i sigurimeve vazhdoi të rritë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve në shtator 2018 ishte 69.1 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 4.8%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara arriti në 31.5 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.2%. Rritja e dëmeve të paguara, përveç rritjes së numrit të policave të sigurimit, reflekton edhe sjelljen më të përgjegjshme të kompanive të sigurimit ndaj të siguruarve. Për sa i përket sektorit të sigurimeve, vlen të theksohet fakti se ky sektor ka vazhduar që për të dytin vit me radhë të ketë performancë financiare pozitive, gjë që paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e këtij sektori. Një sektor tjetër i rëndësishëm financiar është sektori i institucioneve mikrofinanciare, i cili po vazhdon ta përshpejtojë ritmin e kreditimit duke u shndërruar në një sektor që çdo ditë e më tepër po i kontribuon rritjes së konkurrencës në tregun e kredisë. Gjithsej vlera e kredive të këtij sektori në tetor 2018 arriti vlerën prej 177.7 milion euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 29.1%. Sidoqoftë, një rënie e normës së interesit nga niveli aktual mesatar prej 23.1% do ta bënte këtë sektor edhe më konkurrues dhe me rol më të madh në mbështetjen e ekonomisë së vendit. Bazuar në këtë, vlerësojmë se viti 2018 ka qenë vit i suksesshëm për sistemin financiar në vend dhe po ashtu edhe për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
RTKlive: Me cilat sfida është përballur BQK dhe sektorët që i mbulon ajo dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë për t’i tejkaluar ato?
Mehmeti: Duke pasur parasysh dinamikën dhe zhvillimet globale të sistemit financiar, mirëmbajtja e një sistemi financiar të shëndoshë dhe të sigurt është njëra nga sfidat me të cilat BQK ballafaqohet vazhdimisht. Zhvillimi i ndërmjetësimit financiar duke rritur komunikimin ndërmjet pjesëmarrësve të këtij sistemi ka qenë dhe mbetet një nga prioritet dhe sidat me të cilat BQK-ja është përballur. Sektori i sigurimeve ka qenë gjithashtu një nga sfidat e BQK-së për shkak të brishtësive që kanë karakterizuar performancën financiare të këtij sektori, mirëpo masat e ndërmarra nga BQK-ja në dy vitet e fundit po tregohen mjaft efektive për përmirësimin e gjendjes së këtij sektori. Sigurimi i kodit LEI, i cili aplikohet për realizimin e transaksioneve ndërkombëtare nga ana e BQK-së, ishte një sfidë por edhe sukses i rëndësishëm për BQK-në në vitin që lamë pas. Gjithashtu, investimi i mjeteve të BQK-së me kthim pozitiv ishte dhe do të jetë sfidues edhe gjatë vitit të ardhshëm. Mjetet e BQK-së janë në valutën Euro dhe investimi i mjeteve fokusohet kryesisht në qeveritë dhe bankat e vendeve të BE-së të cilat kanë klasifikim të lartë të investimit. Normat mesatare të interesit të letrave me vlerë të qeverive të shteteve të Eurozonës me klasifikim më të lartë janë negative për maturitet deri në 7 vite. Kjo paraqet vështirësi të operimit me rezultat financiar pozitiv, pasi që qëllimi kryesor i BQK-së në politikën e investimeve është siguria. Përkundër kushteve jo shumë të favorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, BQK-ja me politikën e saj të kujdesshme të investimeve ka arritur që të sigurojë kthim pozitiv nga investimet e mjeteve. Kjo nënkupton qëndrueshmëri financiare për BQK-në, si dhe siguri dhe kthim pozitiv nga investimet për depozituesit institucional të mjeteve në BQK. BQK-ja vazhdimisht ka përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe ka avancuar mënyrat dhe kapacitet e mbikëqyrjes financiare në funksion të mirëmbajtjes të një sistemi të shëndoshë dhe të sigurt. BQK-ja ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit me BQE-në me qëllim të bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare. Ky bashkëpunim do të jetë shumë i frytshëm për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së dhe do të mundësojë mbikëqyrje të përbashkët të bankave më të mëdha në Kosovë. Marrja e Kodit LEI do t’i mundësojë BQK-së identifikim dhe shfrytëzim më të mirë të të dhënave gjatë transaksioneve me palë të treta duke i shpejtuar dhe ulur koston e tyre. Për sa i përket sektorit të sigurimeve, BQK-ja ka ndërmarrë veprime konkrete rregullative dhe mbikëqyrëse, të cilat kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së këtij sektori, duke rezultuar me profit pozitiv gjatë vitit 2017 dhe 2018 për dallim nga vitet paraprake kur sektori i sigurimeve karakterizohej me humbje.
RTKlive: Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në uljen e normave të interesit në kredi?
Mehmeti: Faktorët që kanë kontribuar në cilësinë e mirë të portofolit kreditor e me këtë edhe në rënien e normave të interesit në kredi mund të jenë të shumtë, por ndër më të rëndësishmit konsideroj se janë stabiliteti makroekonomik i vendit, zhvillimet legjislative gjatë viteve të fundit, siç është rasti i përmbaruesve privat që kanë lehtësuar ekzekutimin e kolateralit dhe zbatimin e kontratave, mbikëqyrja e kujdesshme nga ana e BQK-së, menaxhimi adekuat i rreziqeve bankare nga ana e bankave, përmirësimet tjera në ambientin e biznesit, si dhe sjellja e përgjegjshme e qytetarëve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të tyre kontraktuale kundrejt bankave.
RTKlive: Sa e dëmtojnë atraktivitetin e sektorit bankar plaçkitjet e shumta që u ndodhën bankave?
Mehmeti: Çështja e plaçkitjeve të bankave është kthyer në dukuri e cila mund të shkaktojë humbje për bankat, si dhe mund të dekurajojë investitorët e mundshëm për të investuar në sektorin bankar dhe në ekonominë tonë në përgjithësi. Çështja e plaçkitjeve të bankave është problem i cili duhet të trajtohet sa më shpejt që është e mundur, me qëllim të rritjes së sigurisë, si të klientëve brenda objekteve të bankave, punonjësve dhe po ashtu për t’i ofruar siguri bankave në zhvillimin e aktivitetit normal të tyre.
RTKlive: Në takimin e mbajtur me organet e sigurisë, a keni diskutuar edhe për funksionimin ilegal të bankave në veri të vendit?
Mehmeti: Në fillim të muajit dhjetor është zhvilluar një takim me organet e sigurisë në të cilin u diskutua për shqetësimet rreth dukurisë së plaçkitjes së bankave në Kosovë. Të gjithë përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse në këtë takim shprehën gatishmërinë për të ndërmarrë masat e nevojshme me qëllim të rritjes së nivelit të sigurisë dhe u pajtuan rreth masave konkrete për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë. Në këtë takim nuk është diskutuar çështja e funksionimit ilegal të bankave në veri të vendit. Megjithatë, BQK-ja ka iformuar institucionet relevante për dyshimet lidhur me funksionimin ilegal të tyre.
RTKlive: Cili është propozimi që BQK ia ka ofruar komisionit përkatës të Kuvendit për funksionimin e IMF-ve, të regjistruara si OJQ?
Mehmeti: Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare është komponentë mjaft e rëndësishme e sistemit financiar të vendit. Ky sektor edhe gjatë vitit 2018, ka përshpejtuar ritmin e kreditimit duke u shndërruar në një sektor që çdo ditë e më tepër po i kontribuon rritjes së konkurrencës në tregun e kredisë dhe po shërben si sektor plotësues i sektorit bankar në kreditimin e ekonomisë. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të sigurojë funksionimin e të gjitha institucioneve financiare që operojnë në vend në përputhje me rregullat dhe ligjet në fuqi dhe posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbatuar të gjitha kërkesat ligjore që mund të dalin nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktivitetin e institucioneve financiare.
RTKlive: Çka përmban memorandumi i nënshkruar me Bankën Qendrore Evropiane dhe cilat përfitime do t’i ketë Kosova dhe në këtë rast BQK-ja?
Mehmeti: Në nëntor të këtij viti, BQK-ja ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me Bankën Qendrore Evropiane. Ky memorandum përveç tjerash ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve rregulluese të sistemit bankar, rritjen e bashkëpunimit me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, bashkëpunimin lidhur me mbikëqyrjen në vend, të ekzaminimeve dhe çështje tjera. Pra, me këtë memorandum forcohet edhe më tej lidhja mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa neve si BQK do të na ndihmojë shumë që të ecim përpara me përmbushjen e të gjitha detyrimeve që paraqiten në procesin e integrimit evropian.
RTKlive: Sa është numri i ankesave të qytetarëve që i kanë bërë në lidhje me bankat, sigurimet dhe pensioneve?
Mehmeti: Gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka rritur angazhimin e saj në funksion të mbrojtjes së të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut. Në këtë kontekst, BQK-ja ka ndërmarrë veprime përmes programeve të edukimit financiar dhe materialeve tjera të publikuara me qëllim të rritjes së aftësisë së konsumatorëve të shërbimeve financiare që në mënyrë aktive të mbrojnë të drejta e tyre, me qëllim të rritjes së besimit të tyre në funksionimin e drejtë të tregut financiar në vend. Sa i përket numrit të ankesave, deri më 19 dhjetor 2018 gjithsej numri i ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare në BQK është 895 ankesa, prej të cilave 510 ankesa kanë qenë të adresuara nga shfrytëzuesit e shërbimeve financiare për banka, IMF dhe IFJB dhe fonde pensionale, ndërkaq 385 ankesa kanë qenë për sektorin e sigurimeve.
RTKlive: Në fjalimin e mbajtur në konferencën e Shoqatës së Bankave të Kosovës, Ju ishit i ashpër ndaj bankave në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, çfarë masash do t’i ndërmerrni më 2019?
Mehmeti: BQK-ja vitet e fundit ka rritur angazhimin e saj edhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare. Aktivitetet e edukimit financiar paraqesin një pjesë shumë të rëndësishme të këtij angazhimi, duke e pasur për qëllim informimin sa më të qartë të publikut mbi mundësitë që i ofron sistemi financiar, por edhe mbi të drejtat që ata i gëzojnë gjatë shfrytëzimit të shërbimeve financiare. BQK-ja, që nga fillimi i funksionimit të saj, gjithmonë ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të zhvillimit të sistemit financiar, megjithatë ne jemi të përkushtuar që të sigurohemi se zhvillimi i institucioneve financiare të bëhet në përputhje të plotë me parimet e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve. Në këtë aspekt, ne jemi të vendosur që të rritim edhe më tutje angazhimin tonë në mbrojtje të të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe është kërkuar nga bankat që të shqyrtojnë me kujdes kërkesat ligjore dhe politikat e tyre për të shmangur çdo pengesë të paarsyeshme, e cila vështirëson ndërveprimin normal ndërmjet qytetarëve dhe sektorit bankar.
RTKlive: Cili është sektori që e mbuloni dhe që ka ngjallur më së shumti interesim për investime?
Mehmeti: Sistemi financiar në përgjithësi është stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj ka vazhduar të jetë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke e ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë duke u siguruar se veprimtaria e tyre siguron stabilitet financiar. Harmonizimi i kornizës legjislative me zhvillimet e fundit ndërkombëtare në këtë fushë, më konkretisht Bashkimin Evropian, ka qenë dhe mbetet prioritet i BQK-së. Duke marrë parasysh stabilitetin financiar në vend dhe harmonizimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian si dhe e bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, në vazhdimësi ka palë të interesuara për t’u bërë pjesë e sistemit financiar të vendit. BQK-ja është e hapur për të mbështetur investimet në sistemin financiar, gjithmonë duke respektuar kërkesat të parapara me legjislacionin në fuqi.
RTKlive: A keni ndonjë informacion rreth Bankës së Diasporës?
Mehmeti: Diaspora në vazhdimësi është treguar mjaft e qëndrueshme dhe ka shërbyer si burim shumë i rëndësishëm i financimit të ekonomisë së Kosovë. Përveç remitencave, të cilat deri në shtator 2018 janë në shumë prej 587.9 milionë euro, ekonomia e Kosovës përfiton mjaft shumë nga diaspora edhe përmes kanaleve të tjera, siç janë shpenzimet e udhëtimit dhe investimet e huaja direkte. E tërë kjo flet për një kontribut shumë të rëndësishëm të diasporës tonë në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, konsideroj se ka hapësirë për një partneritet edhe më të madh ekonomik ndërmjet Kosovës dhe diasporës. Institucionet e Kosovës po punojnë në vazhdimësi për të përmirësuar edhe më tutje ambientin e të bërit biznes në Kosovë, gjë e cila duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ky angazhim duhet të shoqërohet edhe me një përforcim dhe rritje të kontakteve ndërmjet institucioneve dhe afaristëve vendorë me afaristët nga diaspora, për t’i pasqyruar më për së afërmi mundësitë investive që i ofron ekonomia e Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpret investimet e mundshme nga diaspora në sistemin tonë financiar dhe përbrenda fushë veprimtarisë së saj, është e gatshme të mbështesë me të gjitha kapacitetet e saj çdo iniciativë për të investuar në Kosovë.
RTKlive: Keni premtuar funksionim të fondeve investive dhe të bursës, a mund të jepni më shumë detaje se si do të funksionojnë ato?
Mehmeti: Me qëllim të zgjerimit të ndërmjetësimit financiar dhe zbatimit të kërkesave që dalin nga legjislacioni në fuqi, ne kemi përpiluar draft rregulloren për fondet investive, e cila përcakton kushtet, kërkesat, procedurat dhe afatet që duhet ndjekur për licencimin e shoqërive të investimeve kolektive dhe shoqërive menaxhuese. Me qëllim të rregullimit dhe mbikëqyrjes sa më adekuate të fondeve investive, të harmonizimit me Direktivat Evropiane dhe zbatimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, ne kemi dërguar draft rregulloren për t’u rishikuar dhe komentuar nga ana e Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pas pranimit të komenteve të tyre, BQK-ja do të bëjë korrigjimet eventuale sipas kërkesës së FMN-së.
RTKlive: Cilat plane do të jenë për vitin e ardhshëm?
Mehmeti: Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës qartazi përcakton objektivat e BQK-së, prandaj edhe synimet tona janë të orientuara drejt zhvillimit të mëtejmë të të gjitha kapaciteteve të saj për të siguruar realizimin sa më të suksesshëm të këtyre objektivave. Në kuadër të kësaj, synimi ynë kryesor është që BQK-ja ta forcojë edhe më tutje rolin e saj për t’i siguruar ekonomisë së vendit një sektor financiar të qëndrueshëm dhe me rol edhe më të madh në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. Këtë synojmë ta arrijmë duke zhvilluar një politikë të shëndoshë të licencimit të institucioneve financiare, e cila duke shtuar numrin e institucioneve financiare kredibile që operojnë në tregun tonë, do të mundësojë krijimin e kushteve për rritje të mëtejme të konkurrencës dhe zhvillim të qëndrueshëm të sistemit financiar të vendit. Zhvillimi i vazhdueshëm i funksionit rregullativ të BQK-së do të vazhdojë të jetë prioritet i rëndësishëm, me çka synojmë t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate evoluimit të nevojave rregullative në sistemin financiar, si dhe t’i paraprijmë zhvillimeve të pritshme në këtë sistem në mënyrë që korniza rregullative të mos bëhet pengesë, por të ketë rol të rëndësishëm lehtësues në zhvillimin e sistemit financiar. Aktiviteti mbikëqyrës do të fuqizohet edhe më tepër, për t’u siguruar se veprimtaria e institucioneve financiare në Kosovë zhvillohet në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Zhvillimi i shpejtë i industrisë financiare në nivel global paraqet sfidë të vazhdueshme për rregullatorët, prandaj ne jemi shumë të përkushtuar që të ndjekim këto zhvillime me një shkallë të lartë të proaktivitetit. Vëmendje të madhe do t’i kushtojmë edhe funksioneve tjera të BQK-së, të cilat po ashtu kanë një rëndësi të madhe për mbështetjen e zhvillimit të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi. Ne do të vazhdojmë ta avancojmë infrastrukturën të cilën ia ofrojmë sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit, përfshirë sistemin e pagesave, operacionet e furnizimit me para të gatshme dhe regjistrin e kredive, duke mundësuar kështu rritjen e efikasitetit në ekonomi. Aktiviteti analitik dhe kërkimor, së bashku me aktivitetin e përpilimit të statistikave, do të pasurohen më tutje për të rritur informimin e publikut dhe institucioneve vendimmarrëse mbi zhvillimet ekonomike e financiare në vendin tonë. Në këtë mënyrë, ne do të përpiqemi të japim kontribut të rëndësishëm në lehtësimin dhe përmirësimin e vendimmarrjes ekonomike në Kosovë.
Përmes këtyre aktiviteteve, ne synojmë ta zhvillojmë më tutje institucionin e Bankës Qendrore dhe me këtë të kontribuojmë në zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi. Këtë synojmë ta arrijmë duke u bazuar në partneritetin e fuqishëm me të gjitha institucionet financiare që operojnë në Kosovë dhe me një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konstruktiv me të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare./RTKlive