Mehmeti: Rritja e kredive ekonomive familjare për 17.4 për qind, për t’i tejkaluar problemet nga inflacioni

Prishtinë | 16 Mar 2024 | 08:50 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kreditë e ekonomive familjare kanë shënuar rritje rreth 17.4 për qind, që tregon se qytetarët po ballafaqohen me probleme si rezultat i inflacionit.

Mehmeti, i cili tani udhëheq Institutin Hulumtues për Ekonomi dhe Financa (IHEF), ka thënë se pritjet janë që në fund të vitit 2025 inflacioni në Eurozonë të stabilizohet në rreth 2 për qind. Pastaj pritet të merren vendime nga Banka Qendrore Evropiane për të ulur normat e interesit, dhe në mënyrë direkte do ta ndikojë edhe në kreditë që lëshojnë bankat në Kosovë.

Ish-guvernatori Mehmeti ka treguar se sipas të dhënave zyrtare nga BQK-ja, në janar 2024, janë rreth 4.8 miliardë euro kredi.

“Rreth 17.4 për qind kemi rritje të kredive për ekonomitë familjare. Kur flasim për strukturën e ekonomive familjare, këtu përfshihen kreditë konsumuese dhe kreditë hipotekare. Për këtë arsye edhe norma e interesit dhe kreditë konsumuese arrin, nëse e shohim normën efektive të interesit në kredi, është diku rreth 6.4 për qind, po nëse e shohim normën e interesit në kredi, po i referohem janarit të 2024 kemi një 6.5 për qind vetëm tek kreditë konsumuese. Pra kemi një rritje 17.4 për qind të kredive për ekonomitë familjare”, ka shpjeguar Mehmeti.

Sipas tij, kjo rritje e lartë tregon që ka një rritje të kërkesave nga ana e qytetarëve për t’i tejkaluar problemet më të cilat ballafaqohen si rezultat i inflacionit dhe rrethanave të tjera të cilat kanë vështirësuar jetën e tyre.

“Kemi një rritje të theksuar mund të themi në përqindje rreth 17 për qind rritja e kredive ose 17.4 për qind është një rritje e kredive për ekonomitë familjare, është një përqindje shumë e lartë. Unë gjithmonë kam qenë dhe vazhdoj që të jem pro rritjesë së kredive, por duhet që të kemi shumë kujdes që rritjen e kredive ta kemi një rritje të shëndoshë, një rritje që e ruan stabilitetin financiar në vend dhe për këtë duhet të kemi rritje në sektorët të cilët ne i konsiderojmë në më pak rrisk. Për shembull rasti konkret, nëse kemi rritje te sektorët e ndërtimit, konsiderohet një prej sektorëve me risk shumë të lartë. Kjo rritje prej 17.4 për qind vetëm për ekonomitë familjare është një përqindje e lartë dhe kjo tregon që kemi një rritje të kërkesave, me siguri, për të tejkaluar problemet më të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës si rezultat i inflacionit dhe rrethanave të tjera të cilat në një masë e kanë vështirësuar jetën e tyre”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se si shkak i pandemisë ka qenë e pritshme që të ketë edhe rritje të inflacionit, sipas tij, për këtë arsye Banka Qendrore Evropiane ka marrë vendim për rritjen e normës së interesit dhe kjo më pastaj e ka dërguar EURIBOR-in në një përqindje me rreth 4 për qind, e cila ka ndikuar në rritjen e normave të interesit.

“Ka qenë e pritshme për gjithë neve që pas pandemisë do të kemi një rritje të inflacionit për arsye që ka një ndërprerje në zinxhirin furnizimit. Pastaj pas pandemisë kërkesat janë rritur dhe për ne ka qenë e pritshme që do të kemi një rritje të inflacionit dhe kjo ka ndodhur. Për këtë arsye më pastaj erdhën masat që janë marrë për të parandaluar ose minimizuar rritjen e inflacionit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), e cila mori vendim për rritjen e normës së interesit. Kjo më pas e dërgoi EURIBOR-in në një përqindje diku përafërsisht rreth 4 për qind dhe kjo e ka ndikuar rritjen e normave të interesit në vendet e BE-së, por edhe në nivel lokal. Pra është një dukuri që ka ndodhur në nivel global”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se këtë vit në Eurozonë pritet që inflacioni të jetë reth 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 inflacioni do të stabilizohet në nivelin rreth 2 për qind, dhe do ndikojë në uljen e normave të interesit në kredi.

“këtë vit inflacioni do të jetë diku përafërsisht rreth 3 për qind në Eurozonë. Besoj që në fund të vitit të ardhshëm, inflacioni do të jetë nën normën të cilën e dëshiron Banka Qendrore Evropiane rreth 2 për qind dhe pastaj presim që të kemi masa të reja të cilat do t’i zvogëlojnë normat e interesit. Pastaj kjo në mënyrë direkte e ndikon edhe uljen e EURIBOR-it e më pastaj ndikon edhe në uljen e normës së interesit. Kjo do të reflektojë për arsye se shumica e kontratave në mesë të Bankës dhe bizneseve në Kosovë, qoftë edhe personave fizikë janë kontrata mund të themi variabile”.

“Duke u nisur nga fakti pra kanë një normë variabile, ka edhe kontrata që kanë normë fiks, por sidomos po i referohemi atyre kontratave që kanë normën variabile të interesit. Varësisht nga lëvizja e EURIBOR-it, lëviz edhe norma e interesit, kështu që pritjet janë që në fund të viti të ardhshëm do të kemi inflacion në niveli rreth 2 për qind e më pastaj do të kemi edhe vendime të cilat do të merren për të ulur normën e interesit nga Banka Qendrore Evropiane, dhe kjo më pastaj do të ndikojë në uljen e EURIBOR-it në mënyrë direkte do ta ndikojë edhe në uljen e normës së interesit në kredi”, ka thënë ai.

Të ngjashme