Banka më e madhe në Kosovë – ProCredit përzë fukarenjtë

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 19:13 | Nga

Banka më e madhe e Kosovës, ProCredit Bank (PCB) ka ndërmarrë politika që përzënë fukarenjtë. Klientët e kësaj banke nuk mund të marrin më kredi më pak se 10 mijë euro dhe periudha më e shkurtër e kthimit për kreditë konsumuese është 5 vjet. Në bankat tjera mund të merrni kredi edhe 500 euro dhe kthimi është deri në 7 vjet, por ka banka që e kanë zgjatur deri në 10 vjet.

Burime brenda PCB i thanë portalit Kosova ime se këtë politikë banka po e ndërmerr që t’i largojë ata që nuk kanë para dhe të fokusohet më tepër tek bizneset e pasura.

“Banka fillimisht ka larguar shumicën e filialeve, duke e digjitalizuar sistemin. Tash po ndërmerret kjo masë. Qëllimi është koncentrimi në klientët e mëdhenj”, thanë këto burime në kushte anonimiteti për Kosova ime.

PCB më herët kishte larguar një pjesë të konsiderueshme të punëtorëve nga puna, duke i zëvendësuar ata me bankomate.

Kjo ka zëmëruar edhe klientët, pasi ata nuk po mund të kryejnë punë nëse kanë ndonjë ankesë apo paqartësi. Vargu është enorm i madh në ato sportele të pakta të PCB-së. Klientët as nuk mund të kalojnë në ndonjë bankë tjetër nëse kanë kredi aktive, pasi banka nuk ua lëshon Ndalesën Administrative të Pagës.

Në këtë situatë, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, duke e lejuar PCB-në të veprojë me rregullat e teka të veta.

ProCredit Bank është banka e parë e themeluar në Kosovë. Ajo ishte themeluar me emrin e kundërt nga politikat aktuale, quhej Micro Enterprise Bank. Kjo bankë kishte monopolin e operimit paslufte për më tepër se një vit. Pasi, pagesat ishin obligative të kryeshin përmes bankave për shumi institucone, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, MEB-i i atëhershëm, apo PCB e sotme

kishte krijuar supremaci ndaj bankave tjera. Kur u lejua të hapej banka e dytë ajo kishte mbi 400 mijë klientë, duke e marrë ajkën e tyre.

PCB e themeluar nga organizata të rëndësishme evropiane, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, KfW, IFC e institucione tjera, kishte 16 filiala dhe vetëm në Kosovë ka arritur të bëhet bankë e rëndësishme, pikërisht për shkak të monopolit që ia kishin mundësuar mekanizmat e Bashkimit Evropian që e udhëhiqnin ekonominë e atëhershme të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme