Me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Ministrit të Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në BQK u organizua një takim i përbashkët me të gjithë drejtuesit e bankave komerciale që operojnë në Kosovë.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe masave të deritanishme për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID 19, si dhe diskutimi i planit të rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim.
Me këtë rast, Guvernatori i BQK-së vlerësoi lart konstruktivitetin e treguar nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe, duke iu përgjigjur pozitivisht nevojave të ekonomisë përmes lehtësimeve që ju kanë bërë huamarrësve.
Guvernatori Mehmeti shprehu bindjen se sektori bankar, i cili gëzon një shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe potencial për të rritur edhe më tej kreditimin e ekonomisë, do të luajë një rol kyç gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike duke shërbyer si partner i besueshëm i institucioneve, në përpjekjet për të ndihmuar rikuperimin dhe zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.
Vlerësim të lartë për punën e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe shprehu edhe Ministri Bislimi, i cili së bashku me Zëvendësministrin Ilir Aliu prezantuan para drejtuesve të bankave edhe planin për rimëkëmbje ekonomike, i cili po përgatitet nga një grup punues që përfshin përfaqësues të Qeverisë, BQK-së dhe bizneseve.
Në thelb të këtij plani gjendet skema për garantimin e kredive, përmes së cilës synohet rritja e financimit kreditor dhe përmirësimi i kushteve të financimit për bizneset dhe individët.
Nga ana tjetër, Albert Lumezi, Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, shprehi falënderimin për reagimin e shpejtë të BQK-së për sa i përket masave rregullative në raport me menaxhimin e situatës së krijuar gjatë pandemisë, si dhe mirëpriti iniciativën për krijimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike, duke shfaqur gatishmërinë e sektorit bankar për të kontribuuar në këtë proces.
Të gjitha palët u pajtuan për ta vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në procesin e finalizimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike dhe për domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të implementimit të një
plani të tillë në mënyrë që të minimizohen pasojat ekonomike të pandemisë dhe të ndihmohet rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i vendit./EO