Banka Raiffeisen në Kosovë ka shtrenjtuar kohët e fundit shërbimet për tërheqje të mjeteve nga bankomatët e saj.
Rritjes së tarifave për këtë shërbim nga kjo bankë, nuk i kanë shpëtuar as bankomatët brenda degës, që zakonisht kanë një kosto më të lirë.
Nga një çmim prej 20 centësh sa ka qenë tarifa për tërheqje të të hollave deri në 1 mijë euro në bankomatët brenda degës së bankës vitin e kaluar, Banka Raiffeisen tani aplikon një tarifë prej 50 centëve për të njëjtin shërbim.
Po e njëjta tarifë, tani e tutje aplikohet edhe për tërheqjet e të hollave nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës Raiffeisen, që vitin e kaluar ishte vetëm 30 centë.
Ndërkohë, për tërheqjen e mjeteve për shumat mbi 1 mijë euro, tarifa shkon në 1 euro për transaksion në këtë bankë.
Për rastet e tërheqjeve të mjeteve në sportelet e kësaj banke, klientët e Raiffeisen duhet të paguajnë 2 euro e 50 centë për shumat deri në 100 mijë euro.
Kurse për deponimin e mjeteve nëpër ATM-të e bankës Raiffeisen, aplikohet tarifë prej 50 centëve deri në shumën e 1 mijë eurove, dhe 1 euro mbi shumat prej 1 mijë eurove.
Ndryshe, Kosova është e fundit në rajon për nga numri i degëve bankare dhe infrastrukturës së bankomatëve, e njohur si ATM.
Në vitet e fundit, bankat në Kosovë në mënyrë të vazhdueshme i kanë reduktuar degët dhe infrastrukturën e ATM-ve, duke e vështirësuar kështu qasjen e kosovarëve në shërbimet bankare.
Ky problem është potencuar edhe në dokumentin “Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Kosovë”, i hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Në këtë strategji thuhet se në përgjithësi, infrastruktura bankare e Kosovës është e koncentruar në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha.
Sipas këtij dokumenti, deri në vitin 2017, numri i degëve të bankave për 100,000 banorë të moshës madhore është zvogëluar në 16.8 në krahasim me 20.6 sa ka qenë në vitin 2015.
Kjo e bën Kosovën vendin me më së paku degë bankare në rajon. Më së shumti degë bankare në 100,000 banorë ka Mali i Zi, përkatësisht 43.6, e pasuar nga Bosnia dhe Hercegovina me 28.3, Serbia me 28.2, Maqedonia Veriore 25.6, dhe e parafundit Shqipëria me 20.6. /Buletini Ekonomik/