Bankat në Kosovë, paratë e qytetarëve i blejnë lirë dhe i shesin shtrenjtë!

Prishtinë | 21 Jan 2019 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Rreth 3.2 milardë euro kursime kanë kosovarët në bankat e Kosovës, që paraqet një rritje vjetore prej 6.9%. Rreth 70 % e tyre janë para të kursyera nga ekonomitë familjare.

Por, pse këto para nuk po investohen në biznes, për të gjeneruar fitime më të mëdha, për të krijuar vende pune e zhvillim më të madh ekonomik, sesa duke pritur fitimet nga norma aq e ulët e depozitave që është 0.9 %.

Profesori i Ekonomisë, Muhamet Sadiku, ka thënë për Pista.News, se kjo tregon pasiguri të qytetarëve dhe nevojën e madhe për ta përmirësuar ambientin e të bërit biznes në vend.

“Duhet menduar se si të menaxhohen këto kursime, këto kursime aq të larta në banka, nëse duam që këto depozita të shëndërrohen në inciativa biznesore, nëse duam që këto iniciativa të shndërrohen në punësim më të lartë, në eksporte më të larta, ne duhet pasur parasysh se në mënyrë drastike duhet ta përmirësojmë mjedisin biznesor, të vimë në situatë që Kosova të bëhet mjedis miqësor për investime në kuptimin e respektimit të kontratave, të shkurtimit kohor të kontesteve nëpër gjyqe të Kosovës, të respektimit të aksionarëve të vegjël, minoritar dhe në kuptim të implementimit të vet kontratave”, ka theksuar Sadiku.

Profesori Sadiku thotë se e gjitha kjo ndërlidhet me funksionimin e shtetit ligjor.

“Do të thotë ka mbetur që komponenta e shtetit ligjor në Kosovë të fuqizohet dhe kjo do të bëjë një ndikim të arsyeshëm që një pjesë e këtyre depozitave të afatizuara, mos të shkojnë nëpërmjet bankave, po nëpërmejt partnerëve të huaj, e edhe të brendshëm, në investime të reja në Kosovë”, ka shtuar Sadiku.

Arjan Zeka nga Oda Amerikane, thotë se mbajtja e këtyre miliardave euro si depozita në banka, nuk është një lajm i mirë, pasi ato do të mund të investoheshin në ide të reja biznesi.

Sipas tij, duhet të fuqizohet shteti ligjor dhe duhet nxitur idetë e ndërmarrësisë, duke marrë përsipër edhe rreziqet e caktuara të tregut.

“Këto para mund të gjeneronin përfitime edhe për bartësit e këtyre depozitave edhe natyrisht për ekonominë e vendit në përgjithësi. Kjo lidhet me kulturën, kjo merr pak ma shumë kohë, pra me mentalitetin e njerëzve tanë, edhe natyrisht aktivitetet që janë zhvilluar në kuadër të javës globale të ndërmarrësisë duhet të vazhdojnë përgjatë viteve, si dhe kjo nuk duhet të ndodh vetëm ne rajone të caktuara të Kosovës.

Është e mirë që këtë vit, për shembull, kemi arritur që një pjesë të aktiviteteve të çojmë edhe në veri, ku ndoshta rëndom kemi nguruar që të shkojmë, ndoshta edhe për shkak të interesimit më të vogël të njerëzve atje, si edhe me grupe të reja të popullsisë, të cilët sot mund të mos jenë të duhurit për t’u përfshirë në ndërmarrësi, edhe në tregun e punës, por për 4 – 5 vjet ata do të jenë ndërmarrës perspektiv”, ka pohuar Zeka për Pista.news.

Zeka thotë se duhet të flitet më shumë për shembuj pozitiv, që kanë arritur suksese në bizneset e tyre, për t’i bindur edhe të rinjtë që idetë për biznese të shëndërrohen në biznese aktive.

“Si të binden? E para është që të flasim sa më tepër, se ne kemi edhe biznese vendore edhe projekte tjera sipërmarrëse që janë të suksesshme dhe konkurruse në gjithë rajonin dhe më gjerë, janë shumë kompani të teknologjisë informative që ofrojnë punë për kompanitë më të mëdha botërore, e të flasim sa më tepër për shembuj të tillë, që njerëzit të mendojnë se i’a vlenë që idetë e biznesit të shndërrohen në biznes aktiv.

Përmes këtyre shembujve atëherë arrijmë ta ndryshojmë kulturën e të rinjëve por edhe të tjerëve që janë pronar të depozitave.

Mundësitë janë të shumta, por krejt cka duhet është të gjejmë çelësin e duhur që t’i aktivizojmë këta njerëz, dhe këto mjete t’i vëmë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, por prap nuk duhet ta minimizojmë këtu edhe impaktin që ka rreziku, i cili lidhet edhe me mos funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë.

Është krejt çështje tjetër nëse i nënshtrohesh çfarëdo rreziku në një vend, i cili ka demokraci më të fuqishme edhe sundim më të fuqishëm të rendit dhe ligjit. Pra, duhet të fuqizohet sundimi i rendit dhe ligjit”, ka potencuar Zeka.

Depozita paraqet kërkesën në banka dhe mund të ndahen në llogarinë rrjedhëse, depozitat e afatizuara dhe depozitave të kursimeve.

Krahas depozitave, kosovarët kanë kredi në bankat e Kosovës, rreth 2.7 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.6%.

E derisa depozitat kanë arritur në 3.2 miliardë euro, ndërsa kreditë 2.7 miliardë, atëherë kjo i bie se vetë qytetarët po e kreditojnë vetëveten, duke u mundësuar bankave që paratë t’i blejnë lirë, e ato t’i shesin shtrenjtë.

I blejnë me 0.9 % kamatë, ndërsa i shesin me 6.6 % normë të interest.

Të ngjashme