Dhjetëra banorë të lagjeve “Lakrishte”, “Qendra”, “Bregu i Diellit” dhe “Santea”, kanë protestuar të premten para Komunës së Prishtinës kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila i vendosi laurat në lagjen e tyre pa i pyetur fare, raporton Ekonomia Online.
“Parkingu është i banorëve, jo i pazarit”, “Kemi nevojë për përkrahje, jo për gjoba”, “Banorët rezidentë nuk duhet të paguajnë”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar këta banorë. Ata kërkuan që të takohen me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.
Jahë Balaj, banor i lagjes “Lakrishte” tha se një grup është dashtë me ndejtë në lagje t’i ruajnë makinat e tyre nga “banditët e ‘Prishtina Parkingut’”, siç u shpreh ai.
Ai tha se menaxhmenti i Policisë duhet ta hetojë se kush e ka lejuar “Prishtina Parkingun” ta kryejë punën e policisë.
“Këtu jemi nga një grup i lagjeve sepse një grup tjetër jemi detyruar t’i lëmë në lagje për t’i ruajtur makinat nga banditët e ‘Prishtina Parking’. I vetmi institucion që ka bazë ligjore dhe që ka autoritet për të gjithë Kosovën për të shqiptuar gjoba për të bllokuar makina, është Policia e Kosovës”, ka thënë ai.
“Prandaj i them kryetarit (Përparim Rama), që është në lajthitje të ashpër ligjore që e ka trashëguar nga menaxhmenti i kaluar dhe i them që ta ndalojë menjëherë dhe kjo rregullore nuk ka nevojë të ndryshohet, kjo nuk është valide. Përndryshe ne do t’i mbrojmë makinat tona me çdo mjet dhe me çdo formë, sepse janë pronë private. Me to ka të drejtë të merret veç Policia e Kosovës”, ka thënë ai.
Balaj tha se punonjësit e “Prishtina Parkingut” janë shumë arrogantë.
E Violeta Hasani, përfaqësuese e lagjes “Qendra”, tha se sot kanë dalë të protestojnë që ta kundërshtojnë vendimin e “Prishtina Parkingut”
“Janë shumë të padrejta gjërat që janë duke i ndodhur banorëve rezidentë. Aspak nuk e fajësoj kryetarin Përparim Rama, sepse është një qeverisje e re, është një asamble e re, dhe besojmë shumë në të. Kjo problem ka ndodhur prej qeverisjes së kaluar që s’ka dashtë me i marrë fare për bazë kërkesat e banorëve”, tha Hasani.