Komunën e Fushë Kosovës e ndajnë vetëm pak kilometra me kryeqytet, gjë që ka ndikuar edhe në mbipopullimin e saj brenda për një kohë shumë të shkurtër.
Pothuajse në secilën shkollë fillore, në një klasë mësimin e ndjekin së paku 45 nxënës në tri ndërrime të ndara.
Për ta lehtësuar këtë ngarkesë të madhe nëpër shkolla fillore, kjo komunë ka nisur punën për ndërtimin e shkollës paralele “Mihal Grameno”, te Banesat e Bardha.
Por, ndërtimi i saj i ka zënë në befasi banorët e ndërtesave përreth, të cilët thonë se ky vend nuk është lokacioni i duhur, raporton KTV.
Ata nuk janë kundër ndërtimit të shkollës, por ankohen se vendi ku po planifikohet të ndërtohet shkolla nuk ka hapësirë të mjaftueshme.
Tashmë ata kanë nisur të mbledhin edhe nënshkrime për peticion kundër ndërtimit të shkollës, ndërkaq zotohen se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve.