Banorët e Hades kërkojnë ndihmë në Kuvend

Prishtinë | 05 Sht 2016 | 17:18 | Nga

Banorët e mbetur të Hades nuk po lënë derë pa trokitur për të kërkuar ndihmë që t’u mundësohet të jetojnë në kushte normale në fshatin e tyre.

Për këtë arsye, disa banorë të këtij fshati të Obiliqit takuan kryetaren e Komisionit parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Duda Balje.

Përfaqësuesi i Hades Ragip Grajçevci tha pas takimit tha se deri më tash nuk është bërë asgjë për të gjetur një zgjidhje për ta.

“Nuk besoj që do të ketë zgjidhje të shpejtë. Shumë herë kemi pasur takime edhe të tjera jo me institucione kaq të larta por edhe tash kam shumë pak shpresë”, tha ai.

Grajçevci tha se nëse nuk bëhet një zgjidhje për të gjithë këta banorë ata nuk do të pranojnë shpronësimin e asaj zone dhe kalimin e KEK-ut nëpër arat e tyre.

“Ne do të protestojmë fuqishëm”, paralajmëroi ai.

Në takim ishte edhe Dajana Berisha, drejtoreshë e OJQ-së “Forumi për Iniciativa Qytetare”, e cila nga kryetarja e Komisionit parlamentar kërkoi që të merret seriozisht çështja e këtyre banorëve.

“E morëm një përkrahje nga kryetarja e Komisionit parlamentar, që është një shenjë e mirë, por nuk shpresojmë që ka me gjet një zgjidhje të shpejtë… Nëse nuk gjejmë zgjidhje prej institucioneve atëherë bashkë me banorët kemi me dalë në protesta”, tha ajo.

Balje tha se ajo do të provojë të bëjë diçka në këtë drejtim bashkë me anëtarët e Komisionit dhe se do të flasë drejtpërdrejt me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor këtë vend e kishin shpallur me interes nacional për shkak të mihjeve sipërfaqësore, çka kishte çuar në dislokimin e disa lagjeve nga kjo zonë.

Në atë kohë banorët nga pjesët më të rrezikuara të Hades u zhvendosën në një lagje të fshatit Shkabaj, mes Obiliqit e Prishtinës.

Banorët e asaj ane thonë se edhe pas 12 vjetëve ata ende duan rrymë e ujë njëzet e katër orë, lirim nga tatimet dhe largim nga vendi i rrezikuar ku jetojnë përditshmërinë. /kallxo.com/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme